Kosova

Kurti e Vitia akuzojnë qeverisjet e kaluara se për 20 vjet s’kanë bërë asnjë investim në Urologji


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë akuzuar qeverisjet e kaluara se për 20 vjet s’kanë bërë asnjë investim në Klinikën e Urologjisë.

Kurti, në fjalimin e tij para gazetarëve ka thënë se tashmë qeverisja e udhëhequr nga ai ka investuar mbi 1 milion euro.

“Faleminderit që na jeni bashkuar në këtë përurim të rëndësishëm të transformimit të Klinikës së Urologjisë, me rreth 1.2 milion euro investim, pasi që përreth 20 vjet nuk ka pasur investime, por ka pasur vetëm degradim të kushteve si për pacientët ashtu edhe për mjekët e për infermierët”, ka deklaruar Kurti.

I të njëjtit mendim si Kurti është shprehur edhe Vitia.

“Stafi më pati treguar brengën se Klinika e Urologjisë në bllokun operativ është klinika me kushtet me të këqija sepse s’është investuar asgjë për 20 vjet”, tha Vitia.

Vitia e Kurti edhe në të kaluarën janë lavdëruar me punën në shëndetësi, ndonëse problemet vazhdojnë të jenë të ngjashme.

Sigurimet shëndetësore, unifikimi i çmimeve të barnave, funksionimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, Ligji për Transplantimin e Organeve, rritja e numrit të inspektorëve shëndetësorë, furnizimi me barna e aparatura, sigurimi i Listës Esenciale të Barnave, trajtimi i mirëfilltë i pacientëve në klinika, infrastruktura e brendshme e spitaleve të QKUK-së, krijimi i kushteve më të mira për stafin shëndetësor për t’u mos u larguar, anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Realizim të këtyre planeve synonte partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, por edhe pas tri vjetëve asnjë përmirësim në asnjërin prej këtyre drejtimeve.

Sot, sektori i shëndetësisë vazhdon të jetë në të njëjtën situatë që ishte në vitin 2021.

Si ia doli Arben Vitia që nga 11 premtime për shëndetësinë të mos e realizojë asnjë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore