Kosova

Kurti e uron Sinanin për fitoren në Preshevë: Do të rritet mbështetja dhe bashkëpunimi


Kryetarja e ardhshme e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten me kryetaren e ardhshme të Komunës së Preshevës, njëherësh edhe këshilltaren politike në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinani, të cilën e ka uruar fitoren e saj.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Kurti ka thënë se do ta vazhdojnë ta mbështesin Preshevën.

“E urova për fitoren bindëse dhe e përgëzova për suksesin e arritur. Krahas punës që po vazhdon në njësinë zgjedhore në Leran të Preshevës, meqë aty do të ketë rivotim të enjten e javës që po vjen, Arditën tani e pret një punë tjetër e rëndësishme për ndërtimin e një koalicioni të fortë për një qeverisje të qëndrueshme e në shërbim të qytetarëve. Për këtë të fundit më njoftoi se tashmë ka filluar angazhimin e saj të plotë e të sinqertë”.

“Vëmendja dhe mbështetja për Preshevën që nuk ka munguar gjatë qeverisjes sonë, vetëm sa do të rritet e shtohet me bashkëpunimin e afërt që do ta kemi”, ka shkruar Kurti.

Më 2 qershor, Sinani nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), shpalli fitoren në zgjedhjet lokale të Serbisë që u mbajtën të dielën në mbi 80 komuna, duke e cilësuar fitore historike për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.

Ajo njoftoi se PVD-ja fitoi rreth 4 mijë vota, ndërsa Alternativa për Ndryshim (APN) nën udhëheqjen e ish-kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, rreth 2 mijë e 850 vota.

E përderisa Sinani theksoi se do të qeverisë për katër vjetët e ardhshme, kreu i APN-së konsideroi se shqiptarët në Luginën e Preshevës kundërshtuan “politikat përçarëse” të kryeministrit të Kosovës.

Megjithatë, ndonëse PVD-ja shpalli fitoren në Preshevë, kryetari i APN-së shpalli fitoren në Bujanoc.

Arifi tha se kandidati i APN-së për kryetar të Bujanocit, Arbër Pajaziti, fitoi shumicën e votave dhe do të qeverisë për katër vjetët e ardhshme. Megjithatë, ai kritikoi ashpër Qeverinë e Kosovës për rreshtimin përkrah PVD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore