Kosova

Kurti diskuton me ministrin Fidan rreth kontributit të Turqisë për paqen në rajon


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i MPJ-së në Turqi, Hakan Fidan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, me të cilin ka diskutuar për rritjen e bashkëpunimit në fusha të shumta.

Takimin e ka bërë të ditur Kurti përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ku ka thënë kanë folur edhe për kontributin e Turqisë për paqen në rajon.

“Në Ankara u takova edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, diskutuam për bashkëpunimin e ndërsjellët, duke u fokusuar në projekte të përbashkëta ekonomike, tregti, siguri dhe mbrojtje”.

“E falënderova për mbështetjen ndaj Kosovës në Komitetin e Ministrave dhe theksova rolin e Turqisë në paqen rajonale përmes KFOR-it”, ka shkruar Kurti.

Kurti, ka bërë të ditur se të premten në një takim bilateral me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kanë diskutuar për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të mbrojtjes.

Në një takim që ka zgjatur rreth dy orë, Kurti ka njoftuar se janë diskutuar edhe marrëdhëniet dypalëshe në mes të Kosovës dhe Turqisë.

“Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve”, shkroi Kurti në platformën sociale, X, pas takimit.

Për takimin në Ankara, fillimisht u deklarua Erdogan, i cili kërkoi që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim konkret në raport me marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Sipas një komunikate për media e lëshuar nga Zyra e Presidentit të Turqisë, bëhet e ditur se takimi është përqendruar në qëllimin e rritjes së vëllimit tregtar midis Turqisë dhe Kosovës.

“Ekziston një potencial për të përmirësuar marrëdhëniet në shumë fusha, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes”.

Erdogan, siç potencon komunikata, ka theksuar ndër të tjera se mbështetja e Turqisë ndaj Kosovës do të vazhdojë në çdo fushë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore