Shqipëria

Kurti: Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë


Albin Kurti dhe Ismail Kadare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, duke thënë se “anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”.

“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Kadaresë”.

“Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Kadare vdiq në orët e para të mëngjesit të sotëm, në moshën 88-vjeçare. Librat e Kadaresë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës. E falë tij, letërsia shqipe arriti majat. Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Ndër vite, u përmend si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore