Sport

Kualifikueset e Katar 2022, Bare dhe Uzuni: Do të futemi në këto ndeshje për të fituar


Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë të tetorit për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022, përballë Hungarisë. Ndeshja do të luhet të shtunën e 9 tetorit në “Puskas Arena”.

Në konferencë për mediat para ndeshjes kanë qenë mesfushori Keidi Bare dhe sulmuesi Myrto Uzuni. Të dy lojtarët po kalojnë formë të mirë me ekipet e tyre.

Uzuni është lojtar i njohur te rivalet e Shqipërisë, pasi aktivizohet me klubin hungarez të Ferencvaros-it, duke qenë dhe ndër lojtarët më të spiktuar. Ndaj dhe beratasi ka folur pak më gjerë rreth sfidës.

“Dua të jap gjithmonë kontributin tim dhe maksimumin, por do të thoja që Hungarinë e njoh mirë. Do të ishte një ndjenjë tjetër për mua, pasi jetoj dhe stërvitem aty me lojtarë që do të luajnë kundër Shqipërisë”, tha Uzuni në konferencën për shtyp.

“Ndihet shumë atmosfera e ndeshjes aty (në Hungari), pasi edhe lojtarët flasin, fizioterapistët. Të gjithë presin një ndeshje shumë të bukur dhe ata duan fitore, por mendoj se kush ekip do bëjë më pak gabime, ai ekip do fitojë”.

Gjithashtu beratasi ka folur edhe për mungesën e tifozëve hungarez në këtë ndeshje, pasi u dënuan nga UEFA për koret raciste në përballjen me Anglinë.

“Mendoj se nuk është një avantazh për ne, pasi Hungaria kur ka luajtur pa tifozë ka pasur rezultate shumë të mira dhe kur ka qenë me tifozë ka pasur rezultate negative dhe mendoj se nuk është një favor, por në fushë janë të treja rezultatet”, shtoi më tej Uzuni.

Në krahun tjetër, mesfushori fierak Bare, ka folur për marrëdhënien me trajnerin Eduardo Reja dhe nivelin e skuadrës kuqezi.

“Edy Reja më ka mësuar shumë, si të vendosem në fushë, si të vrapoj me dhe pa topin dhe ndihem shumë mirë me misterin, por nuk është vetëm ai, por i gjithë grupi që kemi. Shpresoj të vazhdojmë me këto ritme dhe i them misterit shumë faleminderit”, ka thënë fillimisht mesfushori i Espanyol-it në La Liga.

“Kombëtarja e sotshme po zhvillon ndeshje shumë të mira dhe shpresoj që edhe ndeshjet në vazhdim të bëjmë të njëjtën gjë”.

“Pikësynimi ynë është të arrijmë vendin e dytë dhe pse jo të mos shkojmë në Botëror. Këto gjëra duan përqendrim dhe të bëjmë gjërat mirë dhe ato që na thotë trajneri”.

“Besoj se do ia arrijmë qëllimit, pavarësisht se janë ndeshje shumë të vështira”, ka shtuar më tej Bare.

Përsa i përketë pikëve që mund të marrë Shqipëria në dy ndeshjet e tetorit, me Hungarinë dhe me pas më Poloninë, të dy lojtarët kanë si qëllim maksimumin.

Trajneri Reja në deklaratën e tij të para pak ditëve, tha se do të duhen katër pikë në dy ndeshjet e radhës për të vijuar me ëndrrën, Katar 2022.

“Nuk dua të them se sa pikë parashikoj por dua të them që do të futemi në këto ndeshje për të fituar dhe për të arritur qëllimet tona”, theksoi mesfushori Bare.

Uzuni tha se “Trajneri ka llogaritë e tij, por në mentalitetin tim unë nuk hyj për barazim në fushë, por gjithmonë për fitore dhe të jap maksimumin”.

Shqipëria pas ndeshjes me Hungarinë më 9 tetor, do të presë Poloninë. Sfida me polakët do të luhet më 12 tetor në “Air Albania”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore