Sport

Kualifikueset e Botërorit, Brazili nuk ndalet, ngecin Argjentina, Uruguaji dhe Kili


Katër ndeshje janë luajtur në orët e para të mëngjesit (me orën e Shqipërisë) të ditës së mërkurë për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022, në Amerikën e Jugut. Brazili ia ka dalë të marrë fitoren në fushën e Paraguajit, ndërsa kanë ngecur në barazim Argjentina, Kili dhe Uruguaji.

Ndeshja e parë që u luajt ishte ajo midis Venezuelës dhe Uruguajit, e filluar në orën 00:30 të së martës. Edhe pse me disa yje në fushë si: Luis Suarez, Federico Valverde, Diego Godin, Jose Gimenez, apo dhe Fernando Muslera, perseri Uruguaji nuk ia doli të merrte tri pikët.

Në orën 01:00 u luajt sfida midis Kolumbisë dhe Argjentinës, e përfunduar me rezultatin 2-2. Argjentina kaloi e para në avantazh me anë të Cristian Romero-s. Mbrojtësi i Atalanta-s shënoi në minutën e 3-të.

Pesë minuta më vonë, Argjentina dyfishoi rezultatin në 0-2, falë golit të mesfushorit të PSG-së, Leandro Paredes-it.

Kolumbia barazoi rezultatin në pjesën e dytë të takimit. Fillimisht Luis Muriel-i shënoi për 1-2 në minutën e 51-të, me anë të një 11 metërshi. Goli i barazimit erdhi në sekondat e fundit të ndeshjes, ku Miguel Borja shënoi për 2-2, pas asistit të Juan Cuadrado-s, në të 90+4 minutë.

Në ndeshjen e orës 02:30, Brazili ka mposhtur vendasit e Paraguajit me rezultatin 0-2. Neymar-i shënoi golin e parë të takimit në minutën e 4-të. Goli i “knock out” për vendasit erdhi në minutën e parafundit të shtesës 90+3. Lucas Paqueta shënoi për 0-2 pas asistit të Neymar-it.

Kili me Bolivine përmbyllën kualifikueset për ditën e mërkurë në Amerikën e Jugut. Vendasit nuk ia dolën të merrnin tri pikët në shtëpi.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 69-të të pjesës së dytë. Erick Pulgar-i shënoi pas asistit të Charles Aranguiz-it. Ndeshja u barazua në minutën e 82-të nga Marcelo Moreno.

Kur janë luajtur gjashtë ndeshjet e para kualifikuese për Katar 2022 në Amerikën e Jugut, Brazili është skuadra që udhëheq grupin me gjashtë fitore dhe 18 pikë të plota.

Në vend të dytë renditet Argjentina me 12 pikë, më pas vijnë Ekuadori me nëntë pikë dhe Uruguaji me Kolumbinë me nga tetë pikë.

Paraguaji, Kili, Bolivia, Venezuela dhe Peruja deri më tani janë jashtë zonës që i kualifikon për në Kupën e Botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore