Kosova

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nesër në zyrën e Lajçakut mes paqartësive nëse do të ketë takim trepalësh në Bruksel


Foto: Mirosllav Lajçak

Një cikël i ri i negociatave do të mbahet të martën (nesër, 17 shtator) në Bruksel midis kryenegocitorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – ndërsa Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, synon të arrijë progres në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër më shumë se një vit më parë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i cili, në një konferencë për shtyp të hënën, ka njoftuar se palët do të diskutojnë për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

“Mund të konfirmoj se takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve do të mbahet nesër në Bruksel. Agjenda është e qartë: rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sigurisht diskutimet në çështjet që janë duke ndikuar në normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Stano.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse kryenegociatorët do të zhvillojnë takime trepalëshe, apo veç e veç. Zëvendëskryeministri i Kosovës ka deklaruar së fundi se Serbia ka refuzuar takimin e përbashkët: “Kosova ka pranuar takimin trelateral sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësuesi. Serbia ka refuzuar një takim të tillë, duke u përpjekur të imponojë agjendën”.

Nga ana tjetër, shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, ka pretenduar në një intervistë për gazetën qeveritare “Informer” të hënën se Serbia do të kërkojë “zgjidhje kompromisi” në kuadër të dialogut, por sipas tij, duhet që edhe Kosova “të jetë e gatshme për bisedime”.

Ndryshe, ky cikël vjen në kohën kur tensionet midis dy fqinjëve ballkanikë janë rritur ndjeshëm, posaçërisht pas mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës. E takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë vazhdimisht fajësojnë njëri-tjetrin për moszbatimin e marrëveshjeve. Gjithashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk janë takuar për më shumë se një vit, përkundër thirrjeve të BE-së që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore