Kosova

Kryeministri grek në Serbi: Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, duam t’i thellojmë marrëdhëniet me Serbinë


Kyriakos Mitsotakis

Jo në pak raste, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë aluduar se Greqia mund të jetë një nga vendet e Bashkimit Evropian që do ta njohë Kosovën, por këta zyra i ka shkuar vetë Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili në një konferencë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.

“Qëndrimi i Greqisë ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve është e vetmja zgjidhje që Greqia e mbështet”, tha Mitsotakis, i cili theksoi se ky proces i normalizimit “do të ndihmonte veçanërisht në ruajtjen e stabilitetit në rajon”.

Në këtë konferencë me Vuçiç-in në Beograd, ku po qëndron në vizitë, Mitsotakis tha se dëshiron që t’i thellojë raportet me Serbinë, meqë, sipas tij, Serbia është shteti më i zhvilluar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se në Serbi ka ardhur “me një ekip më të madh ministrash sepse dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin dypalësh”.

Mitsotakis përsëriti atë që paraprakisht e tha Vuçiç se “Serbia është ekonomia më e fortë në Ballkanin Perëndimor”, derisa pohoi edhe se Greqia “mbështet Serbinë në rrugën e saj evropiane”.

Foto nga konferenca e perbashket

“Të dyja vendet janë të përkushtuara për modernizimin e korridorit hekurudhor që lidh Serbinë. Bashkëpunimi midis Greqisë dhe Serbisë është shtrirë në sektorin e energjisë, Serbia mund të sigurojë qendra të mëdha magazinimi për këtë qëllim”.

Kryeministri grek u tha serbëve se “edhe sa i përket Expo 2027 Athina e ka mbështetur që në fillim kandidaturën e Serbisë”.

Në fund, Mitsotakis iu referua ngjarjeve botërore dhe tha se Serbia dhe Greqia kanë të njëjtat pikëpamje për Lindjen e Mesme dhe Ukrainën dhe udhëhiqen nga e drejta ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore