Data shënon 25 dhjetor, por viti është i largët – 1940.
83 vite më parë, aeroporti i Shkodrës që më së shumti shërbente si aerodrom, do të bëhej dëshmitar i një ngjarjeje njerëzore mes tmerreve të luftës.
Ushtarët italianë, të cilët gjendeshin në zgripin e disfatës që do t’i pasonte, u pozicionuan krah njëri-tjetrit për të përjetësuar një moment.
Në këmbët e tyre ishin rreshtuar bombat e luftës. Raketat formonin frazën “Buon Natale” ose urimin “Gëzuar Krishtlindjet”.
Pak më tutje, gjendej një pemë e zhveshur nga stina, e dekoruar nga natyra me dëborë dhe me gëzhoja të rënda nga italianët.
Qëkurse Benito Mussolini kishte marrë pushtetin në Romë, ai synonte krijimin e një perandorie të re romake në rajonin e Mesdheut.
Qëllimi i tij lidhej me rivalizimin e fuqive të mëdha si Britania apo Franca. Mussolini e shihte Shqipërinë si një pikëmbështetje në Ballkan.
Në maj të vitit 1925, Italia kishte filluar depërtimin e saj në jetën e Shqipërisë.
Hapi i parë i madh ishte një marrëveshje ndërmjet Romës dhe Tiranës që i lejoi Italisë të shfrytëzonte burimet minerale të Shqipërisë.
Në nëntor të vitit 1927, Shqipëria dhe Italia hynë në një aleancë mbrojtëse, Traktati i Dytë i Tiranës.
Kjo e fundit solli një gjeneral italian dhe rreth 40 oficerë për të trajnuar ushtrinë shqiptare.
Roma, megjithatë, do t’i jepte Tiranës një ultimatum më 25 mars të 1939-ës, duke kërkuar që ajo të aderonte në pushtimin e Shqipërisë nga Italia.
Zogu refuzoi të pranonte para në këmbim të marrjes së plotë të Italisë dhe kolonizimit të Shqipërisë, dhe më 7 prill 1939, trupat e Musolinit do të pushtonin Shqipërinë.
Atë ditë lufta u ndal
Dikush është përpjekur gjithmonë ta minimizojë këtë histori, që mendohet se është një legjendë e shpikur apo e theksuar nga dikush.
Por ditarët dhe dëshmitë e shkruara dhe të raportuara nga vetë protagonistët sugjerojnë të kundërtën.
Në fakt, thuhet se në ditën e Krishtlindjeve të vitit 1914, gjatë Luftës së Parë Botërore, ushtarët, britanikë dhe gjermanë, pas disa muajsh përpjekje për të vrarë njëri-tjetrin, dolën nga llogoret e tyre dhe hodhën hapat e parë drejt “Tokës së Askujt”.
Ata u takuan dhe u përqafuan në gjysmë të rrugës edhe pse nuk ishin parë kurrë më parë, përveçse në tytën e një pushke.
Fotografi apo cigare, rum dhe uiski, deri edhe te kopsat e uniformës.
Të gjithë ishin gati t’i ofronin diçka “armikut-mikut”.
Për herë të parë, në atë tokë të ngrirë plot kufoma, jehoi një tingull që askush prej tyre nuk e kishte dëgjuar prej shumë kohësh – e qeshura.
Dhe pikërisht gjatë këtyre festimeve dikush goditi një top prej lecke nga fundi i kanalit anglez.
Ernie Williams, një ushtar anglez, tha në një intervistë televizive në vitin 1983 se “askush nuk e dinte nga u shfaq ai top”.
Gjermanët dhe anglezët vazhduan ta shkelmonin atë top deri në të errur.
Ndeshja përfundoi 3-2 për gjermanët, ose kështu shkruhet në ditarët e disa prej ushtarëve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Transformimi radikal i Tiranës: Si kryeqyteti shqiptar po përcakton traditën dhe rishkruan të ardhmen
-
Mesazhi kyç i serialit Friends është aktual edhe sot, 30 vjet më pas
-
Lenini, një roman rus: Në Moskë, në Moskë
-
“Pikë Uji” – Një pasqyrë pa dashur të mbajë anë, thotë skenaristja Ajola Daja për Albanian Post