Kosova

“Krim të madh” e quante Kurti mosinvestimin në “Trepçë”, tani i lë minatorët pa paga


Foto: Albanian Post.

“Mosinvestimi në ‘Trepçë’ është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”, ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në janar të 2021-së, gjatë kohës kur ishte në opozitë.

Edhe pse Kurti e kishte vlerësuar si “krim të madh” mosinvestimin në Trepçë, aktualisht qeverisja e udhëhequr nga ai lërë që s’ka krijuar kushte dhe s’ka investuar në të, por minatorëve pothuajse në secilin muaj të 2024-së, s’ia ekzekuton pagat me kohë.

Marrëveshje e arritur mes Trepçës dhe Qeverisë në muajin nëntor të 2023-së, përmes së cilës synohej që pagat e minatorëve të dilnin në kohë, deri më tani s’është zbatuar pothuajse asnjëherë.

Nga Sindikata e Trepçës, të hënën përmes një komunikate për media kanë deklaruar se Qeveria as s’ka interesim të informohet për problemet që ka aktualisht në këtë ndërmarrje.

Përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Destan Kërleshi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post deklaroi se kanë pasur një takim me bordin, por që s’ka dërguar në rezultate konkrete.

Minatorët e Trepçës.

“Rreth 720 minatorë janë në grevë. Kemi pasur një takim me bordin mbikëqyrës të premten dhe kanë kërkuar kohë deri sa të bëjnë një zgjedhje”.

Ndonëse, kanë kërkuar vazhdimisht që të takohen me kryeshefin Bashkim Kurti, nga ana e tij s’është shprehur interesim që të takohet me minatorët.

“Minatorët po kërkojnë që të përcaktohet koha se kur do të ekzekutohet paga. Por, kryeshefi ekzekutiv s’po gjen kohë dhe nuk ka interesim për t’u takuar me minatorët dhe të ua sqaroj gjendjen. Kjo injorancë e kryeshefit po i irriton minatorët”, thotë Kërleshi.

Ish menaxheri i kësaj ndërmarrje, Ferat Shala, gjatë një bisede për Albanian Post kishte sqaruar se janë një sërë arsyesh përse minatorët vazhdimisht kanë këto probleme – të gjitha ndërlidhen me qeverisjen Kurti dhe premtimet që janë bërë për të investuar në këtë ndërmarrje.

“Gjendja e minatorëve është e rëndë. Kjo vjen si rezultat i menaxhimit të skajshëm jo profesional, si rezultat i keqmenaxhimit institucional, si rezultat i politikave qeveritar ku ka vendosur militant partiak në sektorin më vital të industrisë së Kosovës”, thotë Shala për Albanian Post.

Sipas tij, asnjë nga premtimet që është dhënë për të investuar në këtë ndërmarrje s’është mbajtur.

“Në esencë Qeveria Kurti dhe kryeministri patën premtuar shumë investime, patën premtuar zhvillim, por në fund të mandatit Qeveria Kurti e ka sjell Trepçën në dhjetëra miliona euro borxhe. Fatkeqësisht duhet të themi se kjo Qeveri e ka shkatërruar “Trepçën”, në kuptimin profesional dhe inxhinierik, e ka shkatërruar dhe e ka humbur tregun vendor dhe ndërkombëtar dhe po e nxjerr jashtë funksionit Trepçën”.

Që nga 15 korrik, Albanian Post ka drejtuar pyetje tek ministria e Ekonomisë, se kur do të bëhet ekzekutimi i pagave të minatorëve por akoma s’ka pranuar asnjë përgjigje.

Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Kryeshefi i Trepçës dhe Qeveria Kurti të painteresuar për hallet e mbi 700 minatorëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore