Kosova

KQZ: 94 subjekte politike aplikuan për zgjedhjet lokale në Kosovë


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, 1 koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4.920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4.757 për kuvende komunale.

“Këta janë subjektet dhe kandidatët që kanë aplikuar. Komisioni do të shqyrtojë këto materiale për të bërë certifikimin e kandidatëve më tutje”, ka thënë Elezi.

Po ashtu, ai tha se “me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për kryetar komune apo për kuvende komunale, KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtes dhe Doganës së Kosovës”.

“Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuara të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj do të kërkohet për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë”, theksoi Elezi.

KQZ-ja do të marrë vendim për certifikim ose jo të ndonjë kandidati apo subjekti politik deri më 1 shtator. Procesi është planifikuar të përfundojë deri më 6 shtator.

Ndërsa afati i fundit për tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim është data 8 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore