Kosova

Kosovë: Qeveria miraton buxhetin, mbi 2.7 miliardë euro për vitin 2022


Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 në shumën prej 2 miliardë e 748 milionë euro.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, buxheti ka një rritje prej 8.7% krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti apo 220 milionë euro më shumë.

Kurtit ka thënë se për herë të parë për Ushtrinë e Kosovës (FSK) do të ndahen mbi 100 milionë euro.

Ai ka thënë se synimi është që brenda mandatit të rritet përqindja e ndarjes për Ushtrinë deri në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, siç kërkojnë edhe standardet e NATO-s.

“Kësi buxheti s’ka pasur kurrë Kosova”, ka thënë Kurti në fjalën e tij.

Në bazë të buxhetit në nivel vendi do të ndërtohen 50 çerdhe për fëmijë.

“Në këtë buxhet kemi ndarë 45 milion euro për të mbështetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehonat dhe për shtesat për fëmijë.”

Ai ka thënë se kanë bërë studimet falas për të gjithë studentët.

“Do t’i ndajmë edhe 2 mijë bursa shtesë për ata që janë më të mirët”, duke mbështetur shkencën dhe hulumtimin.

“Kemi shtuar 35 milion euro të pensioneve dhe skemave pensionale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro dhe shtesa për skemat sociale prej 30% të bëhet e përhershme”.

Për policinë dhe zjarrfikësit ka premtuar kryeministri pajisje moderne.

“Do të furnizojmë policinë e zjarrfikësit me pajisje moderne e të sigurta. Për këtë kemi ndarë 10 milionë euro”.

Tutje kryeministri në fjalën e tij ka thënë se kanë shtuar buxhet prej 24 milion euro në sigurimin e barnave esenciale.

Ndërsa me buxhetin për vitin 2022, ai tha se do të nisin rrugën Prizren-Tetovë. Kryeministri ka thënë se për herë të parë kanë ndarë buxhet për Luginën e Preshevës me një shumë prej 2 milion euro.

Kurse, 50 milion euro janë ndarë për pagesën e borxheve të shpronësimeve në mënyrë që të kryhen rrugët e nisura prej kohësh.

Ai ka thënë se edhe për banimin social kanë ndarë një buxhet ndërsa 20 milion euro janë ndarë për skemën e punësimit për të rinjtë.

“10 milion euro kemi nda për blerjen e ambasadave në shtetet aleate”, ka thënë ai.

Ndërsa për ndërmarrjen publike, Trepçë dhe ndërmarrjen Telekomi i Kosovës, Kurti ka thënë se janë ndarë 40 milion euro.

“40 milionë euro të tjera i kemi ndarë për financimet në Trepçë e Telekomi ashtu që këto asete të kthehen në gjenerues të mirëqenie”, është shprehur Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore