Kosova

Kosovë: KQZ shpjegon rregullat e votimit në pandemi


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar një video, e cila është punuar si udhëzues për qytetarët se cilave masa duhet t’u përmbahen në ditën e zgjedhjeve – të dielën e 14 shkurtit.

KQZ-ja përmes videos njofton se masat pak a shumë do të jenë ato që supozohet se duhet të mbahen edhe tani – maska, distanca dhe të tjera si këto.

“Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim”, thuhet në video.

“Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart; Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit”.

Pasi të kalohet kjo procedurë, votuesit duhet të “rivendosin maskën”.

“Më pas ju duhet të merrni fletëvotimin dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimin në kutinë e votimit”, vazhdon shpjegimi përmes videos.

“Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni serish duart. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre masave të domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së shëndetit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore