Kosova

Kosovë: Habilitimi proces utopik për arsimin e lartë


Ministria e Arsimit, Skencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Në emër të reformës arsimore në Kosovë janë dhënë shumë ide se çfarë duhet të bëhet, por realisht plane konkrete nuk është se janë ofruar.

Së fundmi një ide ka dalë se Kosova duhet ta ndërtoj institucionin e Habilitimit.

Këtë ide e ka dhënë Prof.Dr. Martin Berishaj nga Lublana i cili është Drejtor i Institutit Kërkimor Shkencor “Albanica”.

Mirëpo, ideja e profesor Berishajt me të cilin Albanian Post ka realizuar një intervistë lidhur me këtë çështje, nuk po shihet edhe aq lehtë dhe e zbatueshme në Kosovë, për faktin se sistemi arsimor në Kosovë është krejtësisht tjetër, madje edhe krijimi i mekanizmave për habilitim mund të jetë sfidë në vete.

Për Albanian Post, Ligjeruesi i Universitetit të Prishtinës, Bekim Baliqi nga katedra e Shkencave Politike, ka thënë se nëse merret për bazë modeli gjerman i Habilitimit, atëherë kjo edhe mund të bëhet.

“Kjo mund të bëhet e mundur nëse është krejt sistemi”, është shprehur ai.

Mirëpo, modeli i Kosovës është tre shkallor; profesor-asistent, profesor i asocuar dhe profesor i rregullt. Ndërsa me Habilitim sipas modelit gjerman nuk janë tre shkallë, por është profesor i rregullt dhe profesor jo i rregullt”.

Fakulteti Filozofik-UP

Por, çka nënkupton Habilitimi sipas profesor Baliqit?

“Habilitimi faktikisht është një marrje e profesurës që është kalim prej nivelit jo të rregullt në atë të rregullt”.

Mirëpo, për të kaluar nëpër procesin e habilitimit është e domosdoshme që të përshtatet edhe sistemi i studimeve, por a është e mundur të ndodh një gjë e tillë, Baliqi konsideron se është mjaft problematike.

“Kish me nxjerr kogja shumë telashe për shkak se çfarë profesure na japin. Hbilitimi nuk është vetëm gradë. Është edhe njëfarë kontrate e angazhimit në një profesurë. Do të thotë dikush e mban veç në një fushë, shembull të filozofisë apo shkencës politike ose sociologjisë. Me këtë model si e kemi ne, me orë e normë, është gati e pamundur me bë atë punë”.

Ndërsa sa i përket asaj se kush mund t’i vlerësojë ata që janë në proces të habilitimit, kur dihet mirë se në Kosovë nuk ka profesorë të habilituar.

“Habilitimi është shumë më shumë subjektiv, por është komisioni dhe puna duhet vlerësohet si kontribut i jashtëzakonshëm në atë fushë përkatëse në të cilën ka me u ligjeru edhe me bë hulumtime në të ardhmen”.

Por, edhe nëse arrihen të bëhen njerëzit e habilituar në fusha të përgjithshme problemi do të vazhdoj të mbetet akut në fushat specifike.

“Nëse ti e bënë një habilitim për shembull në Filozofi Analitike, kush është ai person ose kush janë ata persona që e kanë atë habilitim në atë fushë që me bë vlerësimin?”

Profesor Baliqi konsideron se për të ndërtuar institucionin e habilitimit është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

“Teoritikisht është tërheqëse, praktikisht është gati e pamundur të realizohet një gjë të tillë. Sidomos në disa fusha ku ka mungesë të madhe të kuadrove kompetente… plus që kjo masnej mundet të shkaktoj edhe një lloj fërkimi të themi mes personave që kanë ndonjë amozitet ose diçka pasi që si proces nuk i lihet në dorë institucionit shumë sa se sa komisionit”.

Çështja e habilitimit në njëfarë mënyre e decentralizon bukur shumë procesin por se nëse kihet parasysh modeli gjerman atëherë sipas tyre kërkohet që brenda nëntë dite duhet të bëhet transferi nga universiteti ku mund të jesh duke ligjëruar për në një universitet tjetër për ta bërë habilitimin atje si hulumtim të pavarur dhe kur të përfundon ky proces me sukses atëherë mundet me u kthye në universiteti ku ka qenë.

Mirëpo, sfiduese e sheh Baliqi që edhe kjo të ndodh.

“Tash, me një vend si Kosova ku nuk ka gati fare bashkëpunim ndërinstitucional, atëherë kjo nënkupton se ku do të bëhet habilitimi i profesorëve pasi që kjo është një lloj vizite studimore e hulumtuese në një institucion tjetër. Shpeshherë në botën gjermanofolëse, profesorët marrin nga një vit apo dy vite projekte shkencore ku udhëtojnë dhe ligjërojnë në universitetet tjera dhe pastaj habilitojnë edhe kthehen. Gjithashtu, produkti final i habilitimit duhet të jetë një vlerë e shtuar shkencore për të cilën gjë pastaj është subjektive se kush mundet ta pohoj që është e tillë”, është shprehur ai.

Baliqi konsideron se nëse mendohet të bëhet habilitimi në Kosovë, atëherë duhet të përshtat që prej planprogrameve studimore, ndarjes së normave dhe deri te komisionet vlerësuese “përndryshe ajo vetëm se sjell telashe”.

Sfidë po ashtu e madhe mund të jetë edhe sjellja e profesorëve nga jashtë vendit për ta bërë këtë proces. Përveç kostos financiare që mund të jetë e lartë ata duhet ta përcjellin për vite kandidatin që është në proces të habilitimit.

“Duhet të ndodhë përcjellja ose monitorimi me vite, pra i mentorimit që i bëhet kandidatit për habilitim”.

Baliqi ka thënë se universitetet e Kosovës janë të sfiduar me kandidatët që kalojnë nëpër procesin e doktoratës e lëre më edhe me procesin e habilitimit “konsideroj se një kërkesë e tillë është idealiste dhe si të tillë nuk e shoh edhe të realizueshme”.

Sistemi në Kosovë ka çarje pasi që për avancimin e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës kërkohet që profesorët të kenë publikime në Scopus dhe platforma të tjera shkencore, mirëpo një gjë të tillë si UP-ja nuk e kërkojnë universitetet e tjera publike dhe as ato private.

“Kjo e bënë sistemin jo të barabartë në vend. Andaj, nëse kërkohen kritere të tilla për një universitet (siç është ai i Prishtinës) ajo duhet të vlejë edhe për universitetet e tjera, pra duhet të ndodhë në nivel kombëtar”, ka deklaruar Baliqi.

Se a është politikë e Qeverisë Kurti II që në emër të reformave në Arsimin e Lartë në Kosovë të themelohet edhe institucioni i Habilitimit, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.

Ndërsa i kontaktuar nga Albanian Post lidhur me këtë çështje ka qenë edhe Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola.

Deputeti Gola i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje e cila udhëheq me Qeverinë, nuk e ka pohuar e as mohuar se krijimi i institucionit të Habilitimi do të jetë pjesë e reformave arsimore në vend.

Ai ka thënë se nuk mundet me dhanë ndonjë përgjigje nga pozita e udhëheqësit të Komisionit për Arsim.

“Aty ma shumë mundem me të dhanë personalisht se sa si Kryetar i Komisionit”, ka thënë ai.

Ndërsa, pyetje lidhur me këtë çështje janë dërguar edhe universiteteve publike dhe atyre private në Kosovë.

Universiteti i Prishtinës në pyetjen se a kanë pranuar ndonjë kërkesë nga ana e MASHTI-it rreth habilitimit, kanë thënë se nuk posedojnë ndonjë informatë lidhur me këtë çështje.

“Ju informojmë që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk ka pranuar informata që një propozim i tillë është duke u shqyrtuar” thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”-Prishtinë

Ndërsa Rektorati i Universitetit të Gjakovës, përmes postës elektronike, për Albanian Post, ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të tillë as nga MASHTI e as nga ndonjë institucion tjetër.

“Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga MASHTI ose ndonjë institucion tjetër për habilitimin e stafit akademik. Në anën tjetër sipas standardeve për akreditim, mbështetur në nevojat të stafit, ne jemi në proces të vazhdueshëm të zhvillimit të mësimdhënies bashkëkohore përmes projekteve si dhe QDPM (Qendrës Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie)”.

Ky universitet ka thënë se nuk kanë staf të habilituar por se ata janë në harmoni të plotë me praktikat dhe standardet e akreditimit.

“Në Universitetin “Fehmi Agani” nuk kemi praktika e as përvoja të tilla të habilitimit të stafit akademik. Universiteti “Fehmi Agani”, punon me përkushtim të plotë për të gjitha kërkesat ligjore dhe kërkesave të reja për avancimin e mësimdhënies”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të këtij universiteti.

Rektorati i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”-Gjakovë

Ndërsa Universiteti i Prizrenit, ai i Gjilanit, i Mitrovicës dhe disa Kolegje të arsimit të lartë në vend nuk u janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore