Kosova

Kosovë: Bujqit dhe blegtorët me vite të anashkaluar nga shteti


Bujqit në Kosovë

Bujqësia dhe blegtoria janë lënë anash nga shteti. Megjithëse për vite me radhë janë vlerësuar si sektorë që mund ta rrisin ekonominë dhe numrin e të punësuarve. Kështu vlerësojnë përfaqësues të bujqve dhe blegtorëve kosovarë.

Për më tepër, sipas tyre, situata e krijuar si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19  e ka rënduar edhe më tepër gjendjen.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri në një intervistë për Albanian Post, ka thënë se ky sektor është ballafaquar me probleme të mëdha.

“Sektori i bujqësisë është ndikuar shumë nga pandemia, për shkak që ishin ato ditë të para të mbylljes totale. Edhe ma vonë, ajo ka filluar të reflektoj në fuqinë ekonomike të popullatës, ku edhe ka ra fuqia blerëse e konsumatorëve”, thotë Tahiri.

Ai thekson se një numër i madh i bizneseve janë të varura nga sektori i bujqësisë.

“Shumë firma të mëdha, shumë markete të mëdha varen nga produktet bujqësore, sidomos nga pemët e perimet prej bujqve dhe kalon përmes marketeve të cilat shiten nga gastronomia”.

Tahiri thekson se ka pasur probleme me shitjen e produkteve bujqësore, në periudhën e pandemisë.

“Unë kam pasur problem me shitje, për shkak se nëse je dalur për të shitur para pandemisë brenda gjysmë dite i ke shitur të gjitha produktet, në kohë të pandemisë je dalur, por nuk ke pasur mundësi të shitjes pothuajse të asnjë produkti, për shkak se edhe nuk ka pasur dalje në treg, dhe fuqia e blerësve dhe konsumatorëve patë ra shumë”, ka thënë ai.

Ndërsa, shprehet se nuk ka qenë pandemia ajo e cila ka lënë anash sektorin e bujqësisë.

“Nga paslufta e deri në vitin 2010, shumë pak i është kushtuar vëmendje sektorit të bujqësisë. Nuk ka pasur investime, nuk ka qenë fare prioritet. Por, edhe pas vitit 2011 kur u vendos në prioritetet e qeverisë, buxheti për bujqësinë ishte i vogël”.

Sektori i qumështit, i cili nisi të zhvillohej, u godit nga pandemia, edhe më shumë në mungesë të përkrahjes nga institucionet e Kosovës.

Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, për Albanian Post ka thënë se mungesa e subvencione ka bërë që ky sektor të ketë dëme të mëdha.

“Nuk ka pasur subvencione nga Qeveria e Kosovës. Në fakt, kemi pasur disa premtime prej ministrit të kaluar, Besian Mustafa, i cili ka qenë ministër i bujqësisë, vitin e kaluar dhe kemi pasur edhe disa premtime ku kanë dalur zyrtarë të agjencioneve të Ministrisë së bujqësisë në terren, ka pasur një lloj premtimi se do të behët një lloj subvencionimi, përkatësisht i humbjeve të përpunuesve të qumështit mirëpo, fatkeqësisht ajo ka ngelur vetëm si një premtim”.

Ai shton se vazhdojnë të jenë në pritje të këtyre subvencioneve nga qeveria për të ndihmuar këtë sektor.

“Ne presim që qeveria e re e Kosovës do të gjejë ndonjë formë të ju dalë në ndihmë prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit”.

Por Mema thotë, se edhe sektori i qumështit është një tjetër sektor i ballafaquar me probleme të mëdha tash e sa vite.

“Në realitet ju po e shikoni se çfarë po ndodh tash e sa muaj, megjithëse për këtë problematikë në fakt ka vite që kemi bërë thirrje institucioneve të shtetit që ta kenë parasysh. Përkrahja e shtetit nuk po vije tek prodhuesit dhe përpunuesit ashtu siç po deklarohet”.

Në planin e zhvillimit ekonomik 2011-2014, zhvillimi i sektorit të bujqësisë ka qenë një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Por, ky plan, i cili synonte rritjen e prodhimtarisë, zvogëlimin e importit të produkteve bujqësore, si dhe rritje të punësimit, nuk është realizuar deri më tani.

Mosrealizimi i këtij synimi vihet në pah në Programin për Zhvillim Rural 2020 – 2021 të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, nga ana e përfaqësuesve të Federatës Sindikale të Bujqve, të Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, si dhe nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në Programin për Zhvillim Rural 2020–2021, analiza e aftësisë konkurruese e bujqësisë së Kosovës tregon që vetëm një pjesë shumë e vogël e fermave mund të konkurrojnë në tregun rajonal, atë të Bashkimit Evropian (BE) dhe në tregun ndërkombëtar.

Qysh në vitin 2010, fermerët kosovarë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me politikat agrare qeveritare. Ata patën protestuar dhe patën kërkuar nga Qeveria të ndajë më shumë buxhet për sektorin e bujqësisë si dhe të subvencionohet çdo hektar toke e mbjellë me kultura bujqësore.

Lëvizja Vetëvendosje e cila ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, në programin e saj ka paraparë të financojë bujqësinë për çdo vit deri në 100 milionë euro.

Në mënyrë që të sigurohet një treg vendor, që sipas LVV-së nuk e përbuz mundin e fermerëve, kjo parti do të sigurohet që të ketë çmime për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale.

Në planprogramin e LVV-së, është paraparë po ashtu futja e çmimeve referente për një sërë produkte bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin dhe qumështin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore