Kosova në pritje të “kohës së përshtatshme” për rinegociimin e marrëveshjes për misionin e FSK-së në veri, thotë ministri
Një marrëveshje e nënshkruar para një dekade ndërmjet presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) nuk duhet të vendoset në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it, mund të rihapet si çështje.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Albanian Post të enjten, ka thënë se autoritetet kosovare, pavarësisht mospajtimeve, do ta respektojnë marrëveshjen, por ka shtuar se – megjithatë – janë në pritje të “kohës së përshtatshme” për ta rishqyrtuar validitetin e këtij zotimi, të cilin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mënyrë të vazhdueshme e kritikon.
“Pavarësisht mospajtimeve, ashtu sikurse kryeministri, unë dhe të gjitha strukturat në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, janë të vendosur të respektojnë zotimin e institucioneve të Kosovës. Në një kohë të përshtatshme dhe në sinkronizim me NATO-n, besoj që do të diskutohet nevoja për vazhdimin e validitetit të këtij zotimi”, ka theksuar Maqedonci.
Ish-presidenti Thaçi, në prill të vitit 2013, garantoi shefin e atëhershëm të NATO-s se FSK-ja nuk do të operojë në veri pa leje të KFOR-it: “Në emër të Qeverisë së Kosovës, unë ju ofroj garanci se FSK do të ketë mundësi të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in”.
Maqedonci ka deklaruar gjithashtu se FSK-ja në vazhdimësi përgatitet dhe trajnohet në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, eventualisht nga grupe që financohen nga Serbia, sikurse ndodhi vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, por njëkohësisht respekton faktin se KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e paqes.
Kushtetuta e Kosovës obligon FSK-në që të veprojë në rast se preket territori apo sovraniteti i vendit. Megjithatë, roli i FSK-së, posaçërisht sa i përket veriut, aktualisht është i paqartë. Ndryshe, procesi i transformimit dhjetëvjeçar të FSK-së në ushtri nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë