Lajme

Koreja e Veriut pretendon se ushtari amerikan u arratis prej racizmit brenda Ushtrisë


Koreja e Veriut ka thënë se ushtari amerikan Travis King kaloi në territorin e saj muajin e kaluar për shkak të “keqtrajtimit çnjerëzor dhe diskriminimit racor” në ushtri.

Kadeti 23-vjeçar kaloi kufirin nga Koreja e Jugut më 18 korrik, ndërsa ishte në një turne udhërrëfyes.

King pranoi se kishte kaluar ilegalisht dhe kërkoi strehim në Veri, raportoi media shtetërore.

Washingtoni tha se nuk mund të verifikonte pretendimet, të cilat janë komentet e para publike të Phenianit për rastin.

Shqetësimet janë rritur për mirëqenien e ushtarit amerikan, i cili nuk është dëgjuar dhe parë që nga kalimi i tij.

SHBA po përpiqet të negociojë lirimin e King me ndihmën e Komandës së OKB-së, e cila drejton zonën kufitare dhe ka një linjë telefonike të drejtpërdrejtë me ushtrinë e Koresë së Veriut.

Duke iu përgjigjur raportit të Koresë së Veriut të mërkurën, një zyrtar i Pentagonit tha se prioriteti i tyre ishte që King të sillej në shtëpi i sigurt “përmes të gjitha kanaleve të disponueshme”.

Koreja e Veriut nuk ka dhënë asnjë informacion se si planifikon të trajtojë ushtarin amerikan, por tha se ai pranoi se kishte hyrë “ilegalisht” në vend.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA nuk tha nëse ai do të përballej me ndjekje penale apo dënim.

Në raport nuk përmendej vendndodhja apo gjendja e tij aktuale.

“Gjatë hetimit, Travis King rrëfeu se kishte vendosur të vinte në DPRK [Koreja e Veriut] pasi ndihej keq prej keqtrajtimit çnjerëzor dhe diskriminimit racor brenda ushtrisë amerikane,” raportoi KCNA.

Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e tij për të kërkuar strehim në DPRK ose në një vend të tretë, duke thënë se ishte i zhgënjyer nga shoqëria e pabarabartë amerikane.

King është një specialist zbulimi që ka qenë në ushtri që nga janari 2021 dhe ishte në Korenë e Jugut si pjesë e rotacionit të tij.

Para se të kalonte kufirin, ai shërbeu dy muaj në paraburgim në Korenë e Jugut për akuzat për sulm dhe u lirua më 10 korrik.

Ai duhej të kthehej në SHBA për t’u përballur me procedimet disiplinore, por arriti të largohej nga aeroporti dhe të bashkohej me një turne në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ), e cila ndan Korenë e Veriut dhe atë të Jugut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore