Shqipëria

Konkluzionet e Samitit të Procesit të Berlinit: Mirëpritet plani i BE-së për rritje, vendet inkurajojnë angazhimin me Kosovës dhe Serbisë


Konkluzionet e Kryesuesit të Procesit të Berlinit të publikuara pas samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, të mbajtur më 16 tetor, mirëpritën Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të lëvizshmërisë të nënshkruara në vitin 2022.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6) përshëndetën shpalljen e një Plani të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, siç përvijohet nga Presidenti i Komisionit Evropian në maj 2023, dhe shprehën angazhimin e tyre për avancimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Tregut të Përbashkët Rajonal përmes përshpejtimit të reformave të brendshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar”, shkruhet në dokumentin e parë nga Albanian Post.

Ato inkurajuan gjithashtu përpjekjet evropiane për t’u angazhuar me Kosovën dhe Serbia pas sulmit të Banjskës.

Pjesëmarrësit theksuan fuqimisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në klimën aktuale të pasigurisë gjeopolitike dhe konflikteve të vazhdueshme në tokën evropiane.

“Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin për ngritjen e fundit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që çoi në dhe pas sulmit ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjes së një rreshteri të policisë së Kosovës dhe plagosjes së tre të tjerëve, më 24 shtator. Ata theksuan se zhvillimet e fundit kërcënojnë paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon, si dhe shtyjnë përpjekjet e pajtimit të BE-së dhe partnerëve të tjerë strategjikë në Ballkanin Perëndimor”, vijon dokumenti final.

Dokumenti thekson po ashtu nevojën për të forcuar lidhjet në fusha të ndryshme, duke përfshirë transportin, tregtinë, energjinë dhe lidhjet dixhitale. Qëllimi, siç u përmend, është të nxisë lidhje më të ngushta brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrësit shprehën nevojën urgjente për të kapërcyer hendekun socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Dokumenti ravijëzon mbështetjen e pjesëmarrësve për monitorimin e strukturuar periodik të konvergjencës ekonomike të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Ai gjithashtu vë në dukje interesin e tyre për të eksploruar rrugët për pjesëmarrje në takimet dhe forumet e BE-së kur diskutohen fusha me interes të përbashkët.

Konkluzionet përshëndetën hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të lëvizshmërisë të nënshkruara në Berlin në nëntor 2022 për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Dokumenti përmend gjithashtu hyrjen në fuqi të tarifave të reduktuara të roaming të të dhënave midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që nga 1 tetori 2023, bazuar në Deklaratën e Roaming-ut.

Sipas dokumentit, liderët shprehën dëshirën e tyre për integrimin gradual të institucioneve dhe politikave të arsimit, shkencës dhe rinisë të Ballkanit Perëndimor në fushat dhe mekanizmat përkatës të BE-së.

Ata mirëpritën konkluzionet e Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Shqipëri më 6 tetor 2023 dhe nënvizuan rëndësinë e forcimit të mekanizmave rajonalë dhe skemave të BE-së për të nxitur lëvizshmërinë e të rinjve dhe shkëmbimet kulturore në rajon, duke nxitur ndërtimin e paqes dhe pajtimin.

Më tej, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e rritjes së investimeve në transport dhe lidhje hekurudhore, si brenda Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe ndërmjet rajonit dhe BE-së, siç thuhet në dokumentin zyrtar.

Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë rajonal në fushat e politikave që lidhen me sigurinë.

Ata pohuan po ashtu nevojën për shkëmbim më të madh informacioni midis Ballkanit Perëndimor dhe Task Forcave të Përbashkëta të BE-së, krahas ushtrimeve të përbashkëta që synojnë adresimin e aspekteve specifike të krimit të organizuar, duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e emigrantëve dhe trafikun e drogës.

Dokumenti theksoi se pjesëmarrësit inkurajuan përpjekjet evropiane për të zhbllokuar dialogun e normalizimit të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit rajonal brenda vendeve të BP6-ës.

Ata theksuan nevojën për nisma të përbashkëta evropiane dhe mekanizma të përshtatur në fusha të tilla si zhvillimi ekonomik, rinia, arsimi dhe bashkëpunimi ndër-grupor i shoqërisë civile.

Vendet kërkuan gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe Shteteve Anëtare për përpjekjet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe përparimin në rrugët e tyre të pranimit në BE.

Së fundi, pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore për perspektivat e BE-së të Ballkanit Perëndimor. Ata propozuan përfshirjen e kushteve të forta në lidhje me zbatimin e angazhimeve rajonale dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në kriteret e zbatimit të Planit të Rritjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore