Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se dhimbja për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, është shumë e madhe, “por ai do të jetë mes nesh i paharruar, me krijimtarinë e tij që do të mbetet e pavdekshme në letërsinë botërore!”.
Këto komente, Konjufca i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi ka marrë pjesë në homazhet që u bënë për Kadarenë në Tiranë, në nderim të jetës dhe veprës së Kadaresë.
“Ai i dha aq shumë kombit shqiptar, e për këtë të gjithë do të jemi gjithnjë mirënjohës, ndërsa përmes tij populli shqiptar i dha botës një gjeni të letërsisë, e për këtë do të jemi gjithnjë krenarë, ne dhe brezat që do të vijnë”, shkroi Konjufca.
Ai potencoi se me veprën e tij Kadare zgjeroi gjuhën, mprehu perceptimet dhe stërholloi ndijimet, ndezi imagjinatën e formësoi përfytyrime për të gjithë popullin tonë.
Figurat, frazat, vargjet dhe personazhet e tij, shtoi kreu i kuvendit, “janë tashmë referenca kolektive të mendimit dhe shqisave tona artistike si komb”.
“U prehtë në paqe e përjetësi, aty ku do të shndërrisë duke i bërë dritë të gjithë botës!”, përfundoi Konjufca.
Ndryshe, Kadare vdiq të hënën e 1 qershorit, në moshën 88-vjeçare.
Për Kadarenë janë mbajtur të mërkurën, në Tiranë, homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij, ku kanë marrë pjesë personalitete të rëndësishme, duke përfshirë krerët e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës,
Shkrimtari më i madh shqiptar u varros më 3 korrik në Varrezat e Tufinës në Tiranë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë