Lajme

Konferenca e 13-të e ICIC: Në fokus aksesi në informacion dhe përfshirja në epokën digjitale


Në Meksikë, në datat 22-24 qershor, u zhvillua edicioni i 13-të i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC).

Ky edicion u zhvillua nën organizimin e Autoritetit Federal për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Meksikës (INAI).

Takimi i përvitshëm është forumi kryesor në rang botëror për trajtimin e problematikave lidhur me nxitjen e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies së autoriteteve publike.

Sakaq, tematika e këtij aktiviteti ishte “Aksesi në informacion, pjesëmarrja dhe përfshirja në epokën digjitale”.

Punimet u ndoqën në format hibrid, fizikisht dhe online, nga përfaqësues të autoriteteve anëtare, organizmave partnere, bota akademike, shoqëria civile dhe media.

Te Sesioni i Mbyllur i ICIC u diskutua mbi veprimtarinë përgjatë 12 muajve të kaluara dhe u miratua Raporti Vjetor, si dhe u realizuan raportimet respektive të grupeve të punës apo rajonale mbi zhvillimet në këtë fushë.

Zyra e Komisonerit është anëtare në dy nga Grupet e Punës, atë për promovimin e transparencës proaktive dhe mbi trajnimet.

Dy autoritete të reja nga kontinenti afrikan iu bashkuan ICIC, Komisioni për Aksesin në Informacion i Bregut të Fildishtë dhe Institucioni i Avokatit të Popullit të Etiopisë, duke e çuar në 73 anëtarësinë e institucioneve kombëtare dhe rajonale në organizatë.

Sesioni i Hapur i mbajti punimet në datat 22-23 qershor, ku u trajtuan një sërë çështjesh dhe u zhvilluan diskutime për sfidat e informacionit publik dhe transparencës në raport me inteligjencën artificiale, cloud apo blockchain.

Interes ka pasur po ashtu edhe trajtimi i temave në lidhje me aksesin në dokumentacionin publik, dezinformimin dhe lirinë e shtypit në epokën digjitale, si dhe transparencën proaktive, si mjet efikas në promovimin e rritjen e hapjes së institucioneve.

Në konferencë u mbajtën njëherazi edhe një sërë aktivitetesh paralele dhe seminare nga UNESCO, grupet ndërkombëtare të punës dhe rrjete të ndryshme rajonale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore