Komisioni i Ekonomisë miraton projektbuxhetin e vitit 2024, më 7 dhjetor votohet në Kuvend
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2024 këtë të premte të 1 dhjetorit.
Sakaq, më datë 7 dhjetor, projektbuxheti i vitit 2024 i kalon Kuvendit për miratim.
Çfarë parashikon buxheti?
Kujtojmë se ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete ka bërë prezantimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” .
Ai bëri me dije se “ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm”, duke e konsideruar si “një balancë primare pozitive, konsolidim të mëtejshëm fiskal, rritje të punësimit dhe ulje të inflacionit”.
“Duke mbështetur rritjen e pagave dhe duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore”.
Në total, theksoi Mete “efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë”.
“Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj”.
Sipas ministrit, financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin.
“Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit. Projektbuxheti vijon të financojë procesin e rindërtimit, në vijim edhe të mbështetjes së dhënë përmes Aktit Normativ”.
Ndër të tjera ai tha se “respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë”.
“Rritet ndjeshëm buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qëndrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë”.
Në daljen e tij, ai theksoi se nuk do të ketë prekje të TVSH-së në sektorin e arsimit dhe në shërbimet financiare.
Sa i takon akcizës, Mete tha se nisur edhe nga niveli i inflacionit në këto dy vite, është vendosur një tavan prej 1.5% indeksim çdo dy vite.
Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj mbledhjen e ka konsideruar si jo normale, pasi opozita nuk është pjesëmarrëse.
“Mos e shndërroni Parlamentin në një burg. Nuk është një segment për mazhorancën dhe opozita të rrijë përtej mureve. Ajo është e barabartë në këtë institucion. Ky është një skandal i vërtetë. Keni përgjegjësi, Kjo ndodh vetëm në vendet autoritare ku opozita rrethohet me gardistë. Ky nuk është Parlament normal, kjo nuk është sallë normale”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore