Në mbledhjen e Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore, opozita parlamentare ka akuzuar pushtetin, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, për fshehje të provave, derisa këta të fundit e kanë mohuar një gjë të tillë.
Deputetët e opozitës kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të informohen se deri ku mund të kenë qasje sa i përket hetimit të çështjes së rezervave shtetërore.
Mirëpo, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka potencuar se ende nuk kanë marrë përgjigje, pavarësisht kërkesës.
Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka akuzuar deputetin e LVV-së, Driton Hyneni, për ofendime, duke thënë se ai duke tentuar që të japë moral dhe jo për të punuar për ta zbardhur të vërtetën për rezervat shtetërore.
“Gjitha pyetjet që janë dërguar nga ana e kryetarit dhe administratës janë në favor të zbardhjes të së vërtetës, kështu që moral t’i japim njëri tjetrit, sikur Dritoni që më është drejtuar mua dhe më dha moral se është i interesuar të zbardhë të vërtetën, unë po mundohem të besojë. Edhe ne e kemi detyrë, por edhe të tjerët, kur po e mbroni ata të korruptuarit e tjerë që po flitet, Martin Berishaj, partia jote e ka mbrojtur, këtu po reagoni për pyetje, dokumentacione, edhe po më shitni moral mu, absolutisht është e papranueshme…Punoni për të zbardhur të vërtetën”, theksoi Bunjaku-Rexhepi.
Mirëpo, me një gjë të tillë nuk është pajtuar deputeti Hyseni, pasi ka theksuar se janë duke e “kryer detyrën” që ua ka dhënë qytetari.
“Nuk kam nevojë unë për të dhënë moral, pate ti pretendime ndaj neve dhe unë veç jam sqaruar… Ideja ishte me të tregu ty që e kemi gatishmërinë e plotë që detyrën që na ka ngarkuar qytetari të realizojmë deri në fund, e as më të dhënë moral e as mësim”, pohoi Hyseni.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se komisioni në fjalë ka për qëllim zbardhjen e të vërtetës për rezervat shtetërore, derisa ka kërkuar nga deputetët që në vend të etiketimeve, të punojnë për të sjellë detaje që do të ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.
“Ky komision hetimor ka qëllimet e veta për të zbardhur të vërtetën me rastin e mundshëm të keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Asnjë kompetencë tjetër nuk e kemi, por vet emri i këtij komisioni hetimor na shtynë të kërkojmë çdo dokument që është valid për të zbardhur të vërtetën, dhe me këtë duhet të pajtohemi të gjithë”, vlerësoi Lekaj.
“Po humbim kohë kot derisa nuk po kemi kërkesa nga ana juaj për një dokument që me thënë po ky dokument është jo valide, dhe mendoj se nuk ka të bëjë me procesin që kemi kompetencë si komision. Por, ju kisha lut etiketimet, ne këtu përfaqësojmë çdonjëri, jemi deputetë të zgjedhur nga qytetarët, nuk jemi as drejtor të policisë, as SHIK, as AKI, por jemi të barabartë komplet këtu, dhe mos ta etiketojmë njeri tjetrin”, shtoi.
Në nëntor të vitit të kaluar në mbledhjen e tetë të radhës ishin arritur votat e nevojshme për formimin e këtij komisioni.
Komisioni për Rezervat Shtetërore nuk ishte formuar për një kohë të gjatë pasi deputetët e partisë në pushtet kishin refuzuar të marrin pjesë.
Komisioni për Rezervat Shtetërore do të ketë mandat prej 6 muajsh.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë