Kosova

Kollarja e Krasniqit, Specialja: Ia kthyem kollaren, e konfirmuam se bartja e saj është e lejuar


Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të martën, janë sqaruar për çështjen e kollares së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, i cili ishte detyruar ta heqë kollaren para fillimit të seancës gjyqësore të hënën.

Sipas Gjykatës Speciale, për këtë rast, ka pasur dyshime nëse veshja e Krasniqit është sipas rregullave të paraburgimit.

“Para seancës së djeshme, sigurimi i Speciales i kërkoi Krasniqit ta hiqte kollaren, duke kërkuar sqarime nga shefi i paraburgimit nëse rregullat e paraburgimit që ndalojnë veshje të caktuara do të zbatoheshin në këtë rast. Krasniqit i është kthyer kollarja dje pasdite dhe shefi i paraburgimit ka konfirmuar se bartja e kollares është e lejuar”, thuhet në reagimin e Speciales.

Ndryshe të martën lidhur me këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një letre dërguar kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka kërkuar nga kjo e fundit që të marrë veprime për të adresuar rastin.

Në letër, Haxhiu e kishte cilësuar si akt absurd kërkesën për heqjen e kollares.

Sipas Haxhiut, ky veprim kishte shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës.

Në anën tjetër avokatja e Krasniqit, Alagendra Venkatesëari, u ankua se pse po detyrohet klienti i tij ta heqë kravatën që e ka vendosur edhe më herët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore