Klinaku për dëgjimin e dëshmitarit të parë: Seancën e kalojnë në private sepse fshehja e fytyrës dhe zërit u duket “pak”
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, pas fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë në Hagë, ka reaguar duke thënë se fshehja e fytyrës dhe zërit nuk iu është dukur e mjaftueshme.
Klinaku përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ e ka vlerësuar si jo të drejtë kalimin e seancës në mënyrë private.
“Pak po ju duket që i fshehët fytyra dhe zëri dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, ka shkruar Klinaku.
Dëgjimi i dëshmitarit të parë ka nisur në Dhomat e Specializuara në Hagë, gjatë seancës është bërë e ditur se dëgjimi do të zgjas katër ditë.
Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nisi të hënën e 3 prillit, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.
Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht Zyra e Prokurorit të Specializuar lexoi aktakuzën e ndryshuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në po të njëjtën seancë, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Ndërsa më 4 prill seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të mbrojtjes së Thaçit, Veselit, dhe Selimit, si dhe deklaratat pa betim të këtyre të fundit.
Ndërkaq në seancën e 5 prillit u dha fjala hyrëse e mbrojtës së Krasniqit dhe ky i fundit tha deklaratën pa betim.
Dhomat e Specialuzuara pasi dështuan fatalisht me Raportin e senatorit zviceran me emrin Dick Marty ku akuzoheshin krerët e UÇK-së për trafikim organesh me qënie njerëzore, thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, sipas prokurorisë, kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”. Ata gjatë këtij gjykimi thanë se do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit kanë shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.
Akuza e parë që rëndon mbi Thaçin dhe të tjerët është që “përmes veprimeve dhe mosveprimeve”, me anë të pjesëmarrjes së tyre në “ndërmarrje të përbashkët kriminale” kryen ose ndihmuan dhe inkurajuan krime të paraqitur në këtë akuzë.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët paraqitën një sërë intervistash, komunikatash e dokumentarësh, por edhe dokumente të tjera që janë marrë nga shtëpitë e të akuzuarve, që sipas tyre, do të dëshmojnë për fajësinë e tyre.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com