Lajme

Kina tërhiqet nga projekti global i kabllove nënujore teksa tensionet në SHBA rriten


Kina ka ndërprerë pjesëmarrjen në një projekt kabllor interneti për të lidhur Azinë me Evropën.

Lëvizja vjen teksa tensionet rriten midis Washington-it dhe Pekinit mbi kontrollin e infrastrukturës fizike që transmeton trafikun online në botë.

Dy nga grupet më të mëdha të telekomunikacionit të Kinës, China Telecom dhe China Mobile, tërhoqën investimin e tyre të kombinuar prej afërsisht 20 për qind nga projekti i kabllove nënujore vitin e kaluar.

Kjo pasi një kompani amerikane u zgjodh për të ndërtuar linjën mbi Hengtong Marine, ofruesi më i madh i vendit në këtë sektor.

Dalja e tyre nga tubacioni Sea-Me-We 6 – i cili vlerësohet të kushtojë rreth 500 milionë dollarë për të vendosur 19 mijë e 200 kilometra kabllo që lidhin Azinë Juglindore me Evropën Perëndimore – thekson betejën në rritje midis Kinës dhe SHBA-ve mbi atë se kush e ndërton dhe zotëron infrastruktura që mbështet internetin global.

Sakaq, largimi i tyre është një tregues i intensifikimit të tensioneve midis Washington-it dhe Pekinit.

Por një anëtar i konsorciumit e ka përshkruar përfshirjen e tyre si “të rëndësishme, por jo kritike”.

China Unicom, një kompani shumë më e vogël shtetërore, ka mbetur e përfshirë me një investim të paspecifikuar në projekt, i cili pritet të përfundojë në vitin 2025.

Që nga viti 2020, SHBA-të e kanë mohuar lejen për disa kabllo telekomunikacioni nënujorë që përfshinin kompani kineze ose lidhnin drejtpërdrejt SHBA-të me Kinën kontinentale ose Hong Kong-un.

E gjitha me shqetësimet mbi kërcënimin e sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, marrëdhëniet e tensionuara kino-amerikane po riformësojnë sektorin global të teknologjisë, pasi kompanitë dhe vendet janë të detyruara t’i përgjigjen presionit të ushtruar nga dy fuqitë ekonomike.

Rreth 95 për qind e të gjithë trafikut ndërkontinental të internetit – të dhëna, thirrje video, mesazhe të menjëhershme, email – transmetohet përmes më shumë se 400 kabllove aktive nëndetës që shtrihen për 1.4 milionë kilometra.

Infrastruktura është vënë nën vëzhgim mes shqetësimeve globale rreth spiunazhit, sepse stacionet ku zbarkojnë kabllot shihen si të pambrojtur ndaj përgjimit nga qeveritë, hakerat dhe hajdutët.

Sipas disa ekspertëve perëndimorë të sigurisë, ligji i fundit i Kinës për sigurinë e të dhënave sugjeron që të dhënat e operuara nga kompanitë kineze mund të jenë të cenueshme ndaj përgjimit shtetëror.

Ligji në fjalë urdhëron që kompanitë dhe institucionet vendase të ndajnë të dhëna me qeverinë nëse informacioni në fjalë ka të bëjë me çështje të sigurisë kombëtare –

Disa ekspertë të industrisë së telekomunikacionit kanë frikë se dyshimet e shtuara të nxitura nga të dyja superfuqitë mund të çojnë në një shkëputje të infrastrukturës së internetit, me kompanitë amerikane që po ndërtojnë gjithnjë e më shumë tubacionet që lidhin vendet aleate, ndërsa Kina investon në ato që lidhin pjesën më të madhe të Azisë dhe Afrikës.

Të tjerë janë të mendimit se kjo rrjedh nga përpjekjet kineze dhe ruse për të ndërtuar infrastrukturën vendase të internetit që është më e përshtatshme për mbikëqyrje dhe për këtë arsye është e papajtueshme me modelin e decentralizuar të zhvilluar në SHBA dhe që përdoret sot në mbarë botën.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore