Në Kinë, qeveritë lokale dhe entitetet e mbështetura nga shteti po përqendrojnë buxhete drejt kompanive të përfshira në krijimin e metaverse-it.
Lëvizja ka ardhur teksa vendi konkurron për t’u bërë qendra globale e manisë së re digjitale, tregon e përditshmja “Financial Times”.
Atje, Komiteti i Industrisë Metaverse ka njoftuar se 17 kompani kanë qenë përfshirë në organizatë për të “promovuar zhvillimin e shëndetshëm, të rregullt dhe të qëndrueshëm të metaverse-it”.
I krijuar në tetor nga kompania shtetërore e telekomunikacionit, China Mobile, komiteti synon që kompanitë të diskutojnë rregulla, politika dhe projekte të reja.
Dhe rezulton të jetë një nga iniciativat e shumta që përfshin grupe të mbështetura nga shteti dhe zyrtarë lokalë që po kërkojnë gjithashtu aksione në kompanitë metaverse mes një furie investimesh.
Muajt e fundit, kompanitë e mëdha të internetit në Kinë kanë paraqitur marka tregtare të lidhura me metaverse-in, duke shpresuar të dominojnë një industri prej tetë miliardë dollarësh vetëm në Kinë.
Analistja e lojërave në një grup kërkimor, Chenyu Cui, ka thënë se metaverse-i mund të veprojë si një mjet për kompanitë dhe qeveritë lokale që kërkojnë të jenë pjesë e përparimit të ardhshëm teknologjik.
“Koncepti është aq i gjerë sa që çdo kompani mund të hyjë në metaverse edhe nëse me të vërtetë nuk kanë asnjë lidhje me të”, ka treguar Cui.
Ajo ka shtuar se një shumëllojshmëri firmash janë bërë pjesë e metaverse-it dhe se kjo i “ndihmon bizneset e reja të përballojnë investimet dhe kompanitë e listuara që kërkojnë të rrisin çmimin e aksioneve”.
Për shkak se metaverse-i është zhvilluar në një frazë tërheqëse për çdo sipërmarrje shkencore ose teknologjike, analistët janë të mendimit se zyrtarët lokalë mund ta shfrytëzojnë për t’ju përshtatur prioriteteve politike në ndryshim.
Qytetet e mëdha kineze, në muajt e fundit, kanë përfshirë metaverse-in në planet e zhvillimit të qytetit dhe kanë tërhequr në mënyrë aktive kompanitë e vetëquajtura metaverse për të ngritur dyqane në oborrin e tyre.
Cui ka thënë se teksa koncepti metaverse tani është i nxehtë, mbetet për t’u parë se cilat kompani mbijetojnë përtej kësaj periudhe fillestare entuziazmi.
Për të, e gjitha varet nga çka ata do të zhvillojnë në të vërtetë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com