Kina ka lëshuar një alarm të ri shëndetësor.
Në disa qytete raportohet një pneumoni misterioze që po prek fëmijët.
Paralajmërimi i parë erdhi nga ProMed, një sistem survejimi i aksesueshëm nga publiku që monitoron epidemitë e sëmundjeve të njerëzve dhe kafshëve në mbarë botën.
Ai lëshoi një njoftim ku flitej për “pneumoni të pa diagnostikuar” te fëmijët, me temperaturë të lartë dhe gjurmë në mushkëri, por pa kollë.
Në fund të vitit 2019, ishte vetë ProMed që ngriti alarmin e parë për një virus të panjohur të frymëmarrjes, i cili më vonë u quajt Sars-CoV-2.
Kryesisht flitet për Pekinin dhe Liaoningun si metropolet më të prekura nga kjo epidemi e pneumonisë.
Eric Feigl-Ding, një epidemiolog i njohur që ndoqi pandeminë në platformën X, ngriti sërish alarmin me disa postime dhe video që përshkruanin situatën.
Sipas epidemiologut, hipoteze e parë është se këto raste i atribuohen Mycoplasma pneumoniae, një mikroorganizëm përgjegjës për patologjitë që prekin kryesisht sistemin e frymëmarrjes, por jo vetëm.
Disa ekspertë kanë hedhur hipotezën se kjo situatë mund të jetë pasojë e heqjes së kufizimeve pas pandemisë në Republikën Popullore.
E njëjta gjë ndodhi në Evropë dhe SHBA dimrin e kaluar, me një epidemi të rasteve të virusit respirator sincicial te fëmijët.
“Kjo është vala e parë e infeksioneve të Mycoplasma pneumoniae pasi shumica e masave të kontrollit kundër COVID-it u hoqën në fillim të këtij viti”, ka thënë eksperti Zhou Huixia.
“Vala u shfaq veçanërisht agresive pas festës kombëtare në fillim të tetorit”.
Sipas tij, krahasuar me vitet e kaluara janë zbuluar më shumë pacientë me infeksione të përziera, rezistencë ndaj ilaçeve dhe pneumoni.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje popullatës kineze që të “ndjejë masat për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes”, duke pasur parasysh rritjen e rasteve të raportuara te fëmijët në veri të vendit.
“OBSH i ka bërë një kërkesë zyrtare Kinës për informacion të detajuar mbi një rritje të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe rasteve të pneumonisë te fëmijët”.
OBSH ka kërkuar informacion shtesë mbi tendencat e fundit në qarkullimin e patogjenëve të njohur, duke përfshirë gripin, Sars-Cov-2, virusin sincicial të frymëmarrjes, shkaku më i shpeshtë i patologjisë së rrugëve të poshtme të frymëmarrjes te foshnjat.
Po ashtu mbi mycoplasma pneumoniae, si dhe mbi shkallën e mbipopullimit në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Masat parandaluese të kërkuara janë vaksinimi, distanca nga të sëmurët dhe qëndrimi në shtëpi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com