Lajme

Kina ndalon birësimet e huaja, i jep fund një kapitulli të ndërlikuar


Për tre dekada, Kina dërgoi dhjetëra mijëra foshnja jashtë shtetit për birësim, pasi zbatoi një politikë të rreptë për një fëmijë që detyroi shumë familje të braktisnin fëmijët e tyre.

Tani qeveria nuk do të lejojë më birësimet e huaja, një lëvizje që tha se ishte në përputhje me tendencat globale.

Ndalimi ngre pyetje për shumë prej qindra familjeve në Shtetet e Bashkuara që ishin në proces të birësimit të fëmijëve nga Kina dhe kishin dëgjuar në fillim të kësaj jave nga agjencitë e birësimeve se Kina po lëvizte për të ndaluar birësimet ndërkombëtare.

Konfirmimi zyrtar erdhi në formën e një komenti të shkurtër nga ministria e jashtme e Kinës të enjten.

“Ne jemi mirënjohës për dëshirën dhe dashurinë e qeverive dhe familjeve birësuese të vendeve përkatëse për të adoptuar fëmijë kinezë”, tha Mao Ning, një zëdhënëse e ministrisë.

Ajo ofroi pak detaje rreth politikës së re, përveçse tha se përjashtime do të bëhen vetëm për të huajt që birësojnë njerkë dhe fëmijë të të afërmve të gjakut në Kinë.

Përpara pandemisë, Kina ishte vendi kryesor i origjinës për birësimet ndërkombëtare, duke dërguar më shumë se 160 mijë fëmijë jashtë shtetit që nga fillimi i viteve 1990.

Por programi ishte njollosur nga akuzat e kaluara për korrupsion dhe nga shoqërimi i tij me kufizimet e rrepta të lindjeve të vendosura në Kinë.

Shumë familje i lanë foshnjat e tyre nëpër rrugica ose në dyert e komisariateve apo institucioneve të mirëqenies sociale, për të shmangur dënimet e rënda për shkeljen e politikës.

Në pamundësi për të paguar për kujdesin e këtyre fëmijëve, shumë jetimore iu drejtuan birësimeve ndërkombëtare për të ndihmuar në financimin e shërbimeve të tyre dhe në vitin 1992, Kina hapi zyrtarisht dyert e saj për birësimet ndërkombëtare.

“Ky është, në një farë mënyre, fundi i një epoke dhe mbyllja e një prej kapitujve më të turpshëm të tre dekadave e gjysmë të inxhinierisë sociale të njohur si politika e një fëmije”, tha Wang Feng, një profesor i sociologjisë, i cili është i specializuar në demografinë e Kinës.

“Qeveria kineze krijoi problemin dhe më pas nuk mundi të merrej me kufizimet financiare dhe kjo është arsyeja pse ata lejuan birësimin e huaj si mjetin e fundit”.

Sot, popullsia e Kinës po zvogëlohet pasi vendi po përballet me një nga nivelet më të ulëta të lindjeve në botë.

Ajo mban një politikë nominale të kufizimit të familjeve në tre fëmijë dhe është përpjekur të inkurajojë lindjet.

Pothuajse të gjitha birësimet e huaja përfshijnë fëmijë me aftësi të kufizuara, sipas qeverisë kineze.

Të birësuarit nga Kina kanë qenë kryesisht vajza, së bashku me disa djem me defekte të lindjes dhe nevoja të veçanta, tha Zhou Yun, një asistent profesor i sociologjisë në Universitetin e Miçiganit.

Birësimi nga familje në vende larg nga vendi i tyre i lindjes, me kultura shumë të ndryshme, ka lënë shumë të birësuar të pyesin për identitetin e tyre, tha Zhou.

“Ai prek disa nga çështjet më të ngarkuara emocionalisht dhe të ngarkuara politikisht të shtetësisë, përkatësisë, ndjenjave nacionaliste dhe politikës gjinore dhe racore”, tha ajo.

Në vitet e fundit, zyrtarët kinezë janë përpjekur të promovojnë birësimet e brendshme.

Birësimet ndërkombëtare arritën kulmin dhe filluan të ngadalësohen në mesin e viteve 2000, pasi ekonomia e Kinës lulëzoi dhe qeveria ndau më shumë para për të mbështetur jetimët.

Më pak fëmijë janë vënë për birësim, gjithashtu, një reflektim i ngadalësimit të nivelit të lindjeve dhe më shumë mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Deri në vitin 2018, numri i fëmijëve të regjistruar për birësim kishte rënë në rreth 15 mijë , nga rreth 44 mijë në vitin 2009, tregojnë statistikat zyrtare.

Sipas zyrtarëve kinezë, në vitin 2019 kishte 343 mijë jetimë në Kinë.

Disa kinezë mund ta kenë konsideruar programin ndërkombëtar të birësimit si një formë poshtërimi kombëtar, tha Guo Wu, një profesor i asociuar i studimeve kineze në Kolegjin Allegheny në Pensilvani.

Ndalimi i ri “mund të pasqyrojë ndjenjat popullore të rritjes së krenarisë kombëtare dhe një lloj pakënaqësie ndaj Amerikës”, tha Wu.

“Kjo politikë mund të përmbushë atë ndjenjën se ne nuk kemi nevojë t’i dërgojmë fëmijët tanë në Amerikë”.

“Birësimi ndërkombëtar është dëshmuar shumë problematik si në vendet donatore ashtu edhe në ato marrëse, dhe birësimi ndërkombëtar dëmton si të birësuarit ashtu edhe familjet biologjike të të birësuarve”. .

Vende të tjera kanë filluar të pakësojnë ose ndalojnë birësimet e huaja në vitet e fundit, duke përfshirë Etiopinë, Rusinë dhe Kazakistanin.

Disa agjenci evropiane të birësimit jashtë shtetit gjithashtu kanë ndaluar operacionet e tyre mes shqetësimeve kombëtare rreth abuzimit, dokumenteve të falsifikuara dhe përgjegjësisë.

Marrë nga “New York Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore