Lajme

Kina do të rihapë kufirin me Hong Kong-un


Kina ka njoftuar se do të hapë kufirin e saj me Hong Kong-un të dielën e 8 janarit.

Lëvizja i jep fund tre viteve të kufizimeve pandemike që kanë izoluar qendrën financiare nga kontinenti kinez.

Kështu, banorët e Hong Kong-ut që do të udhëtojnë drejt kontinentit kinez nuk do të duhet më që të karantinohen ose t’i nënshtrohen testimit për COVID pasi të mbërrijnë.

E gjitha për të rifilluar udhëtimet ndërkufitare në një mënyrë “graduale dhe të rregullt”, sipas Zyrës të Çështjeve në Hong Kong dhe Macau të Kinës.

Ndërkohë, vizitorët do të duhet të japin një rezultat negativ nga një test COVID i bërë brenda 48 orëve përpara se të udhëtojnë dhe të plotësojnë një deklaratë shëndetësore.

Po ashtu Kina do të rifillojë lëshimin e vizave të udhëtimit dhe biznesit për banorët kontinental për të udhëtuar në Hong Kong.

Më shumë se 236 milionë udhëtime në vit janë bërë përtej kufirit përpara pandemisë, sipas të dhënave të qeverisë.

Dhe lëvizjet vijnë pasi Pekini ka njoftuar se do të rihapë kufijtë e tij ndërkombëtarë dhe do të heqë karantinën e detyrueshme nga 8 janari.

Ky është hapi i fundit nga Kina për të zbutur politikën e saj të diskutueshme “zero-COVID”, e cila u vlerësua me shpëtimin e jetëve, por shkaktoi kosto rraskapitëse sociale dhe ekonomike.

Kurse Hong Kong-u, i cili ndoqi një version më pak të rreptë të strategjisë “zero-COVID” për pjesën më të madhe të pandemisë, ka hequr shumicën e kufizimeve në dhjetor, megjithëse maskat janë ende të detyrueshme në shumicën e mjediseve.

Javët e fundit, infektimet me COVID në Kinë janë rritur ndjeshëm pas heqjes së kufizimeve të ashpra si bllokimet dhe karantina e detyrueshme.

Autoritetet e atjeshme shëndetësore kanë raportuar vetëm një pjesë të vogël të vdekjeve, pavarësisht dëshmive nga spitalet, morgjet dhe krematoriumet se viktimat janë rritur ndjeshëm në të gjithë vendin.

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore