Kosova

KFOR-i u kërkon serbëve t’i shmangin veprimet që mund të krijojnë tensione në Kosovë


Ilustrim

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), në një përgjigje për televizionin “Klan Kosova” të mërkurën, ka kërkuar nga serbët që t’i shmangin veprimet që mund të krijojnë tensione në vend, pas paralajmërimeve të fundit se do të organizojnë barrikada në të gjitha pikat kufitare Kosovë-Serbi.

Në një deklaratë me shkrim për televizionin pas këtyre zhvillimeve, misioni paqeruajtës ka thënë se “është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme” në vend, duke shtuar se “ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”.

Ndryshe, zyrtarë të institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë kanë paralajmëruar se më 6 shtator do të organizojnë barrikada në të gjitha pikat kufitare, disa ditë pas mbylljes nga autoritetet e Kosovës të pesë institucioneve paralele serbe që kanë vepruar ilegalisht në veri të Kosovës.

E përkundër se situata e përgjithshme në pjesën veriore të banuar me serbë etnikë është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore