Muzikë

Këngëtari kroat Daniel Popoviç planifikon ta padisë The Weeknd për plagjiaturë


Këngëtari malazezo-kroat, Daniel Popoviç, i cili prej vitesh jeton në Slloveni, planifikon të padisë muzikantin me famë botërore The Weeknd për gjoja plagjiaturë.

Melodia e këngës hit të The Weeknd, “Save Your Tears”, e publikuar në vitin 2020, i kujton Popoviçit këngën e tij “Znam da ti te te”, të cilën e regjistroi në vitin 1994, ndaj vendosi të ndërmarrë veprime ligjore, shkruan Metropolitan, transmeton AlbanianPost.

Siç tha ai për emisionin “IN Magazin” në televizionin kroat Nova, tashmë është duke negociuar me avokatë apo një shtëpi botuese për të ngritur një padi në emër të tij.

“Kontrata është duke u përgatitur, ta nënshkruajmë dhe të shkojmë në veprim. Çfarë do të bëhet, do të bëhet”, tha këngëtari.

I lindur nga një baba malazez dhe një nënë belge, Popoviç u rrit në Titograd, por bëri emër në Zagreb, ku u zhvendos në vitin 1977 për të ndjekur një karrierë në muzikën pop.

Në vitin 1983, si përfaqësues rajonal i Malit të Zi, Popoviç fitoi të drejtën për të përfaqësuar Jugosllavinë në Eurovizion me këngën “Dzuli” (Julie).

Fitorja e tij kombëtare ishte disi e papritur sepse shumica e vëzhguesve e panë këngëtaren popullore, Lepa Brena, një përfaqësuese rajonale e Serbisë, si një favorite të qartë për përfaqësimin e Jugosllavisë.

“Dzuli” ishte gjithashtu një hit i madh në Jugosllavi, albumi shiti 717 mijë e 166 kopje ndërsa singulli shiti më tej 80 mijë 883 – një numër i madh për Jugosllavinë në të dyja rastet.

Kënga ishte një hit i madh edhe në shumë vende të tjera evropiane, duke përfshirë Norvegjinë, ku Daniel mbajti koncerte në disa qytete.

Në anën tjetër, The Weeknd, vazhdon të mbetet një prej emrave më eminentë të diskografisë botërore, me dhjetëra hite që thyen rekorde në renditjet tabelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore