Përballje

Katar 2022: Belgjika nis me këmbë të mbarë kualifikimet, Franca dhe Kroacia nuk fitojnë


Franca nuk ka arritur të shënojë fitore në ndeshjen hapëse të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”, duke u ndalur në barazim 1:1 përballë Ukrainës në “Stade de France” të Parisit.

Kampionët e botës në fuqi e nisën mirë ndeshjen duke kaluar në epërsi në minutën e 19-të, përmes një supergoli nga Antoine Griezmann.

Vendasit e mbyllën pjesën e parë me epërsi minimale, teksa në të dytën, një autogol i Kimpembe në minutën e 57-të bëri që të dilnin me vetëm një pikë nga ky takim.

Gjithashtu hap fals në kualifikimet për Kampionatin Botëror bëri edhe nënkampionja e botës, Kroacia, duke u mposhtur nga Sllovenia me rezultat minimal 1:0.

Sllovenët vendas kaluan në avantazh me anë të Lovric në minutën e 15-të, dhe më pas ia dolën të ruajnë të paprekur portën, duke marrë tre pikë shumë të rëndësishme.

Në anën tjetër Belgjika e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme fushatën eliminatore të Kupës së Botës “Katar 2022”, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 3:1 përballë Uellsit në stadiumin “King Baudouin” të Brukselit.

Ishin mysafirët të cilët kaluan të parët në epërsi përmes sulmuesit Wilson, i cili shënoi në minutën e 10-të të ndeshjes.

Por belgët reaguan në mënyrë fantastike dhe përmbysën gjithçka që në pjesën e parë me golat e Kevin De Bruyne dhe Thorgan Hazard.

Në pjesën e dytë ishte sulmuesi kryesor i belgëve, Romelu Lukaku që vulosi suksesin, pasi ekzekutoi saktë një penallti , kështu duke siguruar tre pikët e para në këto kualifikime.

Në grupin E, ku bënë pjesë edhe Belgjika, Republika Çeke triumfoi me rezultat tenistik 2:6 në udhëtim ndaj Estonisë, ku protagonist absolut ishte futbollisti në formë i West Ham United, Tomas Soucek, që shënoi tre herë, ndërsa goleadën e kompletuan Schick, Barak dhe Jankto.

Portugalia, pa Cristiano Ronaldon, fitoi me rezultat 1:0 përballë Azerbajxhanit, teksa ishin mysafirët që shënuan një autogol në minutën e 36-të përmes Medvedev.

Në duelet e tjera të mbrëmjes së mërkurë, Finlanda dhe Bosnja u ndanë në barazim 2:2, Rusia triumfoi me rezultatin 1:3 në Maltë, Mali i Zi mposhti 1:2 Letoninë në transfertë, Serbia fitoi 3:2 përballë Irlandës, Turqia e mposhti Holandën me rezultat 4:2 dhe Norvegjia fitoi në udhëtim të Gjibraltari me rezultat 0:3.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore