Kastrati: Dronët ushtarakë janë të nevojshëm për sigurinë kombëtare – a do mundet Kosova të sigurojë ndonjë Bayraktar?
Për ish-komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, negocimi i Qeverisë së Kosovës me Republikën e Turqisë për të blerë disa dronë ushtarakë të tipit Bayraktar, është më se normale për një forcë siç është FSK-ja.
Dronët ushtarakë, shpjegon më tej Kastrati për Albanian Post, janë fluturake që i nevojiten çdo ushtrie në botë për të kryer detyrat e veta qofshin ato inteligjente qofshin ato vëzhguese.
“Dronët nuk janë të nevojshëm vetëm për ushtrinë, por edhe për sigurinë kombëtare”, thotë Kastrati për Albanian Post.
Qeveria e Kosovës, kishte bërë të ditur, Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës Fikrim Damka, po punon në vazhdimësi që të blejë dronë ushtarak Bayraktar nga Turqia. Megjithatë me një kërkesë të tillë të ekzekutivit kosovarë, siç rëndom ndodhë, nuk ishte pajtuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Sipas Vuçiç, negocimi i Kosovës me Turqinë për blerjen e dronëve ushtarak Bayraktar të cilët u treguan mjaft efikas në luftën në mes të Ukrainës e Rusisë, nuk është një lajm aspak i mirë.
“Kur turqit thonë se po negociojnë për shitjen e dronëve Kosovës, nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne dhe një gjë e tillë do të ndikojë në marrëdhëniet tona, edhe pse ne e respektojmë shumë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan”, kishte thënë Vuçiç në një intervistë për televizionin e afërt me pushtetin në Serbi, Tv Pink.
Megjithatë sipas Kastratit, blerja e dronëve nga Kosova nuk duhet ta frikësojë askënd, përshirë edhe Serbinë.
“Duhet ta nënvizojë faktin se droni nuk është një armë sulmuese, por është armë për inteligjencë dhe mbrojtje dhe për atë arsye Kosova ka të drejtë të blejë të gjitha ato pajisje dhe armatime që me ligj janë të lejuara dhe të garantuara”, ka shtuar ai.
“Blerja e dronëve nuk është kërcënim për askënd. FSK-ja ka një planë dinamikë zhvillimor të ngritjes së kapaciteteve opreacionale, misioni i saj është ushtarake prandaj ka të drejtë që të negociojë dhe të blejë armatime të ndryshme, jo vetëm dronë”.
Çfarë janë dronët Bayraktar?
Të lehtë, ekonomikë dhe të manovrueshëm nga distanca.
Bayraktar janë shndërruar në sinonim të suksesit në betejë, pas manovrimeve efikase të ushtrisë ukrainase kundrejt caqeve ruse.
Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47.
Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.
Kurse, lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.
Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankaraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.
Nëse edhe vetëm gjysma e vrasjeve që Kievi pretendon se i ka shkaktuar Ushtrisë ruse (rreth 12 mijë), e gjithë merita – ose të paktën pjesa kryesore e tyre – është e Bayraktar-ëve.
Falë strukturës së tyre, ato mund të kalojnë çdo linjë mbrojtjeje të rusëve dhe të godasin pikërisht aty ku dëshirohet.
Synimi kryesor deri tani, duket se kanë qenë kamionët e logjistikës, transportuesit, cisternat e ndryshme, apo edhe rrugët e komunikimit.
Ai, teknologjikisht nuk është shumë i avancuar, por efektshmëria që ka e bën të shkëlqeje.
I njohur ndryshe si BT2, Bayraktari është një dron bombardues.
Operatori, i cili e drejton, është në distancë dhe jeta nuk i cenohet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ai rri tërësisht jashtë luftës.
Në terma konkretë, me aq sa është vërtetuar nga luftëra apo aksione të mëparshme me Bayraktar-ët, në Etiopi ka një rast kur me një predhë të vetme të dalë nga ai, u vranë 53 persona.
Droni është “i shkathët”, i vogël, ekonomik, mbi të gjitha, letal!
Frenimin e avancimit të Ushtrisë ruse në territorin ukrainas, duhet t’ia dinë atij për falë.
Ai është aq praktik, sa mund të ngrihet në fluturim edhe nga një rrugë e thjeshtë. Kamerat e tij mundësojnë fushëpamje të gjerë.
Një aspekt tjetër interesant, është fakti se ato, i prodhon kompania e dhëndrit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Debutimin në fushëbetejë e ka pasur në luftën kundër ISIS-it në Siri. Më pas, ndaj forcave të Bashaar al-Assad.
Betejat e radhës të Bayraktar-ëve u zhvilluan në Libi. Më tej, në konfliktin në Nagorno-Karabakh, ku i dha fitoren Azerbajxhanit kundrejt Armenisë.
Në Etiopi, shpëtoi Qeverinë nga rrëzimi kundër rebelëve në Tigray.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë