Art&dizajn

Karrigia Evolve e ricikluar prej kompjuterave


Tom Robinson, projektues londinez, ka krijuar një karrige të përbërë tërësisht nga plastika e ricikluar prej hedhurinave elektronike.

Faqja e dizajnit, Dezeen, shpjegon se karrigia e quajtur Evolve e cila ka ngjyrë të zezë është “e ndërtuar nga fletët plastike të ricikluara prej hedhurinave elektronike”.

Dizajneri i Evolve-it ka dalluar se karrigia është e formuar “nga një strukturë e fortë dhe e qëndrueshme e bazës me detaje grafike funksionale të cilat janë prerë për të zbuluar format çuditërisht të bukura”.

The Good Plastics Company, kompania holandeze, e cila ka siguruar pjesët e ricikluara të karriges, ka përdorur kompjutera ose laptopë të hedhur. Kjo sipas Dezeen, shpjegon edhe faktin e ngjyrës së zezë të karriges, pasi vjen nga ngjyra e plastikës së këtyre pajisjeve elektronike e cila shtypet dhe grimcohet për të formuar më pas panelet plastike.

Robinson është i mendimit që ngjyra e përftuar e karriges të jep një ndjesi ndryshe, një ndjesi natyrale. Ai thotë se “paneli i ri i ripërpunuar ngjason më shumë me drurin apo gurin poroz se sa me diçka artificiale”.

Ai ka shtuar gjithashtu, se ideja fillestare e krijimit të karriges “Evolve” ka qenë nevoja për të paraqitur plastikën e ricikluar në një mënyrë larg artificiales dhe për të nxitur dëshirën që njerëzit të donin ta kishin karrigen e ricikluar në shtëpitë e tyre./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore