Shqipëria

Karburanti dhe drithërat – mes luftës në Ukrainë – produktet e “nxehta” në Shqipëri


Nuk është një film dokumentar, as artistik. Tashmë, lufta është rikthyer “me formën më të egër”.

Kështu e përshkroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, situatën e krijuar nga lufta që ka kapluar prej 13 ditësh Ukrainën.

Megjithatë, të martën e 8 marsit, ai ka njoftuar krijimin e një “komiteti të posaçëm” për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve në vend.

Lidhur me këtë çështje, eksperti i Ekonomisë, Arbi Agalliu, për Albanian Post pohon se lufta Rusi-Ukrainë do të vijojë të ketë një ndikim të fuqishëm në rritjen e çmimeve të produkteve.

Eksperti i Ekonomisë dhe deputeti i PD-së, Arbi Agalliu

“Shqipëria importon produkte në një sasi të konsiderueshme për të furnizuar tregun e brendshëm. Kështu që del në gjetjen e tregjeve alternative. Rritja e çmimeve do të vijojë, ose do të ngelemi në këto çmime të larta. Gjithashtu dhe në tregjet e tjera alternative do të ketë një rritje të çmimeve për aq kohë sa kërkesa në tregjet ndërkombëtare, sidomos për drithërat dhe karburantet është gjithnjë e në rritje nga të gjithë shtetet e tjera”.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike për Shqipërinë në vitin 2022 parashikohet të jetë 3.8 për qind. Për vitin 2021, rritja në vend vlerësohet të ketë qenë 7.2%, pra 3.4 më e lartë.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë, ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) ka pasur një ndryshim të dukshëm.

Nga ana tjetër, akademiku Anastas Angjeli bën me dije se rritja e çmimeve në shtetet e Evropës rrezikon të rrisë të ashtuquajturin “inflacion të importuar” në Shqipëri, pasi importuesit do t’i blejnë mallrat më shtrenjtë.

Anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Anastas Angjeli

“Në kushtet kur politikat fiskale me ndryshime të shpeshta dhe një ndërhyrje në vendimmarrjen e biznesit diktojnë edhe rrjedhën normale të tregut me një ndikim në ruajtjen e një pozite të disfavorshme për goditje të ardhshme të tregut shqiptar”.

Sipas tij, kjo është arsyeja që, në fillimvitin e 2022-it, përballë inflacionit në nivelin më të lartë të 10 viteve, Banka e Shqipërisë (BSH) vendosi të mos i rrisë normat e interesit.

“Dy produktet që po pësojnë rritje të çmimeve, karburantet dhe drithërat”

Eksperti Agalliu shpjegon se nga produktet kryesore, të cilat po pësojnë dhe kanë pësuar rritje të çmimeve janë ato që konsumatori i ka të domosdoshme t’i përdorë, pasi janë produkte bazë.

“Këto janë produkte që kanë kërkesë inelastike, si karburanti dhe drithërat. Gjithashtu do të ketë ndikim në një efekt zinxhir apo domino dhe rritjen e çmimit të produkteve apo shërbimeve të tjera”.

Ndërkohë, edhe energjia është kthyer në një çështje të nxehtë në rangun botëror, me vendet që po luftojnë për të siguruar furnizimet.

Edhe Shqipëria, në mënyrë logjike, nuk mund t’i shmangej kësaj vale.

Për profesor Angjelin, çmimet më të larta të energjisë janë një nga arsyet kryesore për inflacionin, që u rrit dukshëm në dhjetor 2021.

Rritja e fortë e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore në tregjet botërore ka nisur të reflektohet në rritje të IÇK-së në Shqipëri, sipas BSH.

“Inflacioni është i pranishëm në çmimet e thuajse të gjithë artikujve të shportës së konsumit. Gjithashtu, rritja e inflacionit u diktua nga rritja e çmimeve të ushqimeve të përpunuara dhe të naftës”, thekson Angjeli.

Anëtari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, gjithashtu pohon se konflikti i krijuar nga kriza e luftës Rusi-Ukrainë, veç pasojave humane e njerëzore, po shkakton dhe pasoja të mëdha ekonomike edhe në ekonominë e vendit tonë.

“Kjo”, sepse, “Shqipëria ka marrëdhënie të rëndësishme eksport-importi me këto dy vende në veçanti drithëra (grurë), naftë, gaz, vaj lule dielli, metale”.

Ai ravijëzoi se, gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë.

“Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit. Volumi tregtar dominohet nga importet e mallrave prej këtyre dy vendeve”.

Në vitin 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore.

Gjithashtu, sipas profesorit, Shqipëria ka varësi të lartë në importin e lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta nga Rusia.

“Nga këto vende importojmë 50% të sasive vjetore të drithërave dhe 12% të naftës. Vala e ngritjes së menjëhershme e çmimeve të mallrave në tregjet globale dhe efekti domino, presioni i tyre në ekonominë tonë, direkt dhe indirekt (vetëm ditën e parë të fillimit të luftës çmimi e naftës, gazit dhe grurit u rritën nga 5-8%)”.

“Edhe sektori i turizmit, i prekur nga rritja e çmimeve”

Për profesor Angjeli, një ndikim tek çmimet do të ketë edhe sektori i turizmit.

Humbjet, sipas tij, këtu do të vijnë për shkak të ndërprerjes së fluturimeve nga lufta dhe sanksionet e vendosura.

Gjithashtu ndikim do të ketë rritja e çmimit të karburantit, që do të reflektohet në rritjen e çmimit të biletave në vendet e tjera pranë konfliktit dhe më gjerë.

Këtë e pohon edhe deputeti i Partisë Demokratike, Agalliu.

“Rritja e çmimit të karburantit do të imponojë të gjitha produktet, të cilat përdorin transportin për shpërndarjen apo karburantin, lëndën djegëse për prodhimin e tyre. Pra, është efekt zinxhir qoftë sektor prodhimi apo sektor shërbimi”.

Si mund të “zbuten” çmimet?

Për të tejkaluar, zbutur këtë rritje çmimesh, Agalliu propozon një plan masash, të cilat duhet ndjekur nga qeveria.

Sipas tij, qeveria ka disa instrumente në dorë për t’i përdorur “që të amartizojë këtë rritje të çmimeve”.

Së pari, thotë ai, është barra fiskale, pra reduktimi i saj te këto dy produkte.

“Kjo bëhet duke hequr te karburantet taksat që qeveria ka vendosur dhe monitorimi në mënyrë rigoroze tek importuesit e naftës, për të reflektuar uljen e çmimit në raport të drejtë me heqjen e taksave të caktuara”.

Nga ana tjetër, përmbyll ai, është e domosdoshme subvencionimi i familjeve në nevojë.

“Janë pikërisht ato shtresa, e mesme dhe poshtë, që goditet nga situata të tilla, që u vu re dhe nga pandemia e tërmeti”.

Dokumentar apo film artistik mbetet për t’u parë sesi lufta do të ndikojë në xhepat e shqiptarëve ditët në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore