Shqipëria

Karamuço për operacionin në Maliq: Pamjet e dronit zbuluan një skandal që kushton jetë policësh


Eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës Prof. Ass. Dr Ervin Karamuço, ka reaguar pas operacionit policor për kapjen e Gjergji Mullallit në Zëmblak/Maliq.

Ai ka sjellë në vëmendje disa aspekte sigurie të cilat janë anashkaluar nga eprorët e Policisë.

“Kush epror policie ka zhvilluar operacionin për kapjen e një krimineli të armatosur në Zemblak/Maliq? Kush është ai që mburret për aksion me rrezikshmëri të lartë, ndërkohë që pamjet e dronit të policisë nxjerrin zbuluar një skandal që kushton jetë policësh?”, shkruan Karamuço.

Sipas ekspertit, nuk mund të dërgosh në operacion policë pa antiplumb, “kur personi që kërkojnë ju përgjigj me armë dhe ju rrezikoi jetën”.

“Urime heronjve blu, por video e publikuar nga Policia më mërziti shumë. Mu kujtua dëshmori i fundit Saimir Hoxha”, vëren ai.

Pas kërkimeve të autoriteteve policore nga mbrëmja e djeshme, është bërë i mundur lokalizimi i Gjergji Mullallit, i cili vrau të shtunën e 29 korrikut bashkëshorten e tij me armë zjarri.

55-vjeçari ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë, sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar.

“Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi”, nënvizoi Policia.

Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t’u dorëzuar, Mullalli është vetëvrarë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje”.

Mullalli akuzohej për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Autoritetet bënë me dije se pas hetimeve të kryera, dyshohet se Gjergji Mullalli e vrau për motive të dobëta me armë zjarri shtetasen L. M., 46 vjeçe, të cilën më pas e hodhi në një gropë septike, pranë banesës së saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore