Kosova

Kandidatja e VMRO-së për presidente do Tribunal Ndërkombëtar për Ali Ahmetin


Gordana Siljanovska-Davkova

Kandidatja për Presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkovka, nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, ka propozuar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së – në mes të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me komandat suprem Ali Ahmetin, dhe forcave policore e ushtarake maqedonase.

Këtë propozim, siç raporton “AlsatM”, Davkovka e ka bërë gjatë një tubimi elektoral në Kumanovë, ku ka cituar të drejtën ndërkombëtare, e cila, në vlerësimin e saj, thotë se disa vepra kundër njerëzimit nuk vjetërsohen asnjëherë.

Në mes të rreshtave, kandidatja nacionaliste maqedonase, ka aluduar në luftën e 2001-së, dhe mundësinë e adresimit të këtyre veprave në një Tribunal Ndërkombëtar.

Jashtë kësaj, ajo ka deklaruar se është koha që Maqedonia e Veriut të ketë president i cili zgjidhet me autoritet të merituar.

“Neve nuk duam forcë, por duam autoritet të merituar. Këtë krenari nuk mund as ta blini dhe as të vidhni dhe as nuk vjen pa meritë. Krenaria vjen me punë”, tha Gordana Siljanovska, kandidate për presidente.

Ndryshe, lufta në Maqedoni kishte filluar më 22 janar të vitit 2001, dhe kishte përfunduar më 13 gusht 2001, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kjo luftë kishte ardhur si rezultat i keqtrajtimit sistematik që regjimi maqedonas ua bënte shqiptarëve që jetonin në Maqedoni.

Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte komandat suprem, Ali Ahmetin, aktualisht kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim – forca më e madhe politike shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Ahmeti, por edhe BDI-ja, gjatë gjithë fushatës elektorale, si në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale (24 prill), dhe në fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare që do të mbahen më 8 maj, kanë qenë cak i sulmeve të vazhdueshme të nacionalistëve maqedonas, konkretisht VMRO-së, dhe liderit të saj Hristjan Mickoski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore