Shqipëria

Kandidatët për ambasadorë prezantojnë platformat e tyre në seancë dëgjimore


Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur të premten seancat dëgjimore për kandidatët për ambasadorë të propozuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Prezantimi i parë i takoi Meri Kumbes, kandidate për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Izraelit, rezident.

Ish kryediplomati Tritan Shehu u shfaq kritik ndaj listës së emrave të propozuar nga MEPJ-ja për kandidatët për ambasadorë.

“Është një gjë e paimagjinueshme ajo që ndodh me trupin diplomatik. Duhet të kenë 10 vite eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Keni sjellë një listë dhe shoh shumë pak njerëz që vijnë nga trupi diplomatik. Shoh padyshim një handikap në zhvillimin e diplomacisë shqiptare”, u shpreh Shehu.

Ndër të tjera, ai e pyeti Kumben nëse do kërkojë zhvendosjen e ambasadës shqiptare në Jerusalem, si një mesazh politik shumë të thellë dhe multi-dimensional.

Seanca pritet të vijojë me Zhaklina Peton, kandidate për ambasadore në Malin e Zi, Ervin Bushatin, kandidat për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Vasilika Hysi, kandidate për ambasadore në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri nisi më herët procedurat për emërimin e shtatë ambasadorëve të rinj në misione të ndryshme diplomatike.

Emërimi i parë i propozuar është Ridi Kurtezi si kandidat për Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Zhaklina Peto është menduar për ambasadore në Malin e Zi, ndërsa Adia Sakiqi si ambasadore në Republikën Federale të Gjermanisë.

Diplomatë të tjerë në krye të misioneve do të jenë: Ervin Bushati si ambasador në Shtetet e Bashkuara, Ilir Gjoni në NATO, Vasilika Hysi në misionin e përhershëm të Shqipërisë në OKB dhe Meri Kumbe si ambasadore në Shtetin e Izraelit.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj pohoi më herët se qëndrimi i ambasadorëve shqiptarë në selitë e huaja diplomatike, ishte zgjatur përtej kohës që parashikon ligji i Shërbimit të Jashtëm në Republikën e Shqipërisë.

Por, megjithatë, pavarësisht kësaj, do të duheshin edhe deri në gjashtë muaj të tjerë, për t’i zëvendësuar ata.

Kështu deklaronte ai, i ftuar në emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

Lidhur me ambasadorët, Begaj shtjelloi se procedurat ligjore do të ndiqeshin rreptësishtë në këtë proces.

Po ashtu, se është në konsultime të vijueshme me kryeministrin e vendit, Edi Rama, lidhur me emrat e mundshëm, të cilët mund të zëvendësojnë ambasadorët aktualë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore