Kosova

Kamberi thotë se institucionet e Serbisë po ndërhyjnë në zgjedhjet në Luginë


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se institucionet shtetërore serbe janë duke ndërhyrë në zgjedhjet lokale në Preshevë dhe Bujanoc, që do të mbahen të dielën e 2 qershorit.

Këtë, Kamberi e ka bërë përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se “nga nëndegët tona në terren po marrim informacione shqetësuese për ndërhyrjen e përfaqësueseve të organeve shtetërore në vullnetin e qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit”.

“Ftoj drejtuesit e organeve të shtetit të këshillojnë punonjësit e vet të qëndrojnë larg ‘rekomandimeve’, ‘këshillave’, ‘sugjerimeve’ se cilën listë e cilin kandidat duhet ta votojnë të dielën e 2 qershorit”, shkroi Kabmeri.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), i kërkoi institucioneve serbe që të mos i përdorin këto metoda “se nuk ju bëjnë punë”.

“Kontrollone veten dhe përmbahuni nga ndërhyrja në proces zgjedhor, kjo është detyra juaj ligjore, e mos u mundoni me kontrollu elektoratin”, potencoi.

Ai kërkoi që qytetarët e Luginës së Preshevës të lihen të lirë të vendosin vetë kënd ta përkrahin.

“Zgjedhjet janë në Bujanoc e Preshevë. Vranja, Surdulica e Nishi, nuk kanë çka përzihen në to”, pohoi ai, duke shtuar “qëndroni larg vullnetit të lirë të shqiptarëve”.

“Inkurajoj secilin individ që vazhdon të merr ‘telefonata këshilluese, sugjeruese apo kërcënuese’ të çfarëdo llojit e nga cilat do struktura shtetërore të mos e fsheh po të njoftojë opinionin”.

Kamberi deklaroi se vullneti i popullit nuk kontrollohet me telefonata, “vullneti i popullit nuk mund të nëpërkëmbet”.

“E provuat pesë herë në Tërnoc më 2022. Nuk ju doli. Nuk ju del përsëri”.

Në fund ai u kërkoi institucioneve serbe që t’i mbajnë duart larg votës shqiptare.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale të 2 qershorit, në Luginë, nga partia e Kamberit për komunën e Preshevës garon Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, dhe për komunën e Bujanocit Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Kurti i ka dhënë mbështetje këtyre kandidatëve, madje, të mërkurën, ka marrë pjesë në tubimin elektoral që këtë dy kandidatë e mbajtën në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore