Kosova

Kamberi letër ambasadorëve në Serbi pas mesazheve kërcënuese, kërkon të dënohet gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, ka njofuar se ka nisur një letër në adresën e ambasadave të huaja në Beograd, ku ka kërkuar të dënohet gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, që nxitet nga disa zyrtarë qeveritarë.

Kamberi ka ndërmarrë këtë inciativë pas mbishkrimeve “Vdekje shqiptarëve… Kosova është Serbi!” në Luginën e Preshevës. Ai ka shprehur drojën për rritjen e ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit shqiptar shumicë në pjesën jugore të Serbisë, veçanërisht në Bujanoc.

“Rritja e ndjenjës antishqiptare dhe diskursi përjashtues i promovuar nga disa zyrtarë qeveritarë kërcënojnë ekuilibrin delikat të multietnicitetit në Luginën e Preshevës. Multietniciteti duhet të përfaqësojë barazi, drejtësi dhe respekt për të gjitha komunitetet, dhe jo margjinalizimin dhe shtypjen e popullsisë shqiptare e privilegje për tjetrën”, ka shkruar Kamberi.

“Në dritën e këtyre zhvillimeve, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme: Të dënojë gjuhën e urrejtjes dhe ksenofobisë; të kërkoni përgjegjësi, të promovoni dialogun dhe integrimin, të monitoroni dhe raportoni”, ka shkruar ndër të tjera deputeti shqiptar.

Në hyrjen e repartit për fëmijë në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, më 19 gusht, është parë një mbishkrim kërcënues e urrejtës: “Vdekje shqiptarëve. Nuk ju duam. Kosova është Serbi!”. Por, ky nuk është rasti i vetëm. Një ditë pas protestës së komunitetit shqiptar kundër politikës diskriminuese të Serbisë, më 13 gusht, u shfaq gjithashtu mesazhi “vdekje shqiptarëve”.

Ndryshe, shqiptarët kanë protestuar para dy javësh për “identitet dhe dinjitet” kundër politikës represive të regjimit serb. Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Serbisë respektimin e marrëveshjeve, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen në institucione.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore