Kosova

Kallas – shefja e re e diplomacisë evropiane që do ta udhëheqë edhe dialogun – në pritje të konfirmimit të PE-së


Kaja Kallas

E emëruar zyrtarisht si shefe e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), ish-kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, ka postuar një fotografi në platformën “X” të hënën pasdite, derisa ka njoftuar se është duke bërë përgatitjet e fundit para seancës së Parlamentit Evropian (PE), ku edhe do të konfirmohet në pozitën e shefes së politikës së jashtme të BE-së për pesë vjetët e ardhshme.

Një prej detyrave të Kallasit do të jetë edhe ndërmjetësimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pas konfirmimit nga PE-ja, ajo pritet të emërojë edhe një të dërguar special për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, aktualisht nën udhëheqjen e diplomatit sllovak, Mirosllav Lajçak, i cili pritet të vazhdojë karrierën diplomatike në Zvicër.

“Një fillim i ri: sapo kam mbërritur në Bruksel dhe mezi pres të takoj kolegët e rinj nga shërbimi diplomatik i BE-së. Javët e ardhshme do të jenë plot me takime dhe diskutime – një fokus i rëndësishëm do jetë përgatitja për seancën e konfirmimit në PE”, ka shkruar Kallas krahas fotografisë.

Për vëzhguesit e dialogut Kosovë-Serbi, emërimi i kryeministres së parë grua të Estonisë në pozitën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri është një lajm shumë pozitiv për Kosovën, posaçërisht në sfondin e procesit për normalizimin e marrëdhënieve, duke qenë se ndryshe nga Josep Borrell ajo vjen nga një shtet që e njeh pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, një kritike e zëshme e Rusisë, ajo mbështet plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. “Ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndajmë përvojën tonë të reformave. Dialogu dhe integrimet evropiane do të ndihmojnë në garantimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore