Arkeologu spanjoll Marcelino Sanz de Sautuloa bashkë me vajzën e tij Maria, në vitin 1879, u nisën për të eksploruar një shpellë pranë shtëpisë së tyre të familjes në Cantabria.
Teksa ai u bë njësh me natyrën në kërkim të objekteve parahistorike, Maria u end nëpër shpellë.
Papritur, ajo ndeshi një tavan të mbuluar nga dhjetëra piktura.
Vizatimet ishin për aurochs, një specie kau i egër i zhdukur prej kohësh. Ato u pikturuan nga populli Magdalen afro 14 mijë vjet më parë.
Studiuesit kanë qenë të befasuar që, njerëzit e hershëm, ishin të aftë për shprehje artistike, por origjina e artit shtrihet shumë më larg se kaq.
Arti i paraprin ekzistencës së Homo sapiens-it.
Një Neandertal, afro 51 mijë vjet më parë, gdhendi modele në një kockë dreri, në një shpellë në Gjermani. Gdhendja u bë disa mijëra vjet përpara se Homo sapiens-i të arrinte në Evropë.
Ndërsa 500 mijë vjet më parë, Homo Erectus, një specie edhe më primitive e njeriut, ka gdhendur linja abstrakte zig-zag në një guaskë deti.
Gjetjet e sfidojnë besimin se arti është prejardhja e veçantë e Homo sapiens-it. Mbase nuk është aq e habitshme që speciet e tjera kanë impulse krijuese.
Habia nis kur mësohet se ka anëtarë të tjerë të mbretërisë së kafshëve që vlerësojnë bukurinë dhe dhuntinë artistike.
Në vitin 2005, një grup prej tre pikturash nga një shimpanze e quajtur Kongo u shitën në ankand për 14 mijë e 400 paund.
Kongo lindi në vitin 1954 në kopshtin zoologjik të Londrës dhe kur ishte atje tërhoqi vëmendjen e zoologut dhe artistit britanik Desmond Morris.
Ai i dha shimpanzesë një laps dhe një letër dhe u mahnit kur filloi të vizatonte. Kongo krijoi më shumë se 400 vepra, disa me lapsa dhe të tjera me bojë.
Teksa veprat ishin abstrakte, shimpanzeja iu afrua punës së vet me një ndjenjë qëllimi. Kur pikturat ose penelat i hiqeshin, “ankohej” me zë të lartë derisa t’i ktheheshin.
Kur ndjente se kishte përfunduar një punë, refuzonte ta ndryshonte atë që kishte bërë. Për më tepër, me kalimin e viteve, përparoi nga linjat e shkarravitura dhe njollat e bojës në kompozime të konsideruara më me kujdes.
Por, a janë vizatimet e bëra nga Kongo vërtet art?
Për të kuptuar nëse kafshët mund të vlerësojnë ose prodhojnë art, ne duhet të dimë se çfarë është në të vërtetë arti. Sidoqoftë, përkufizimi i tij ndryshon jashtëzakonisht.
Fjalori anglez i Oxford-it e përkufizon atë më shumë për sa u përket aftësive.
“Zbatimi i aftësive në artet e imitimit dhe dizajnit, pikturës, gdhendjes, skulpturës, arkitekturës, si dhe prodhimi i shkathët i së bukurës në forma të dukshme”.
Kurse fjalori anglisht Collins thekson qëllimin e krijimit.
“Piktura, skulptura ose objekte të tjera që janë krijuar për njerëzit që t’i shikojnë dhe t’i admirojnë, ose të mendojnë thellë”.
Ka shumë kafshë që bëjnë struktura të përpunuara, por pothuajse të gjitha këto rezultate i shërbejnë një qëllimi praktik dhe jo estetik.
Merimangat thurin rrjeta të ndërlikuara që duken bukur për syrin e njeriut, por për merimangat shërbejnë si kurthe për miza.
Arkitektët, që kërkojnë një dizajn inovativ të guximshëm, nuk duhet të shikojnë më tej se simetria e përsosur e huallit, por bletët e përdorin atë për të strehuar larvat e tyre dhe rezervat e mjaltit dhe polenit.
Megjithatë, ka disa krijesa që krijojnë objekte bukurie pa ndonjë qëllim në dukje praktik.
Disa zhytës në brigjet e Japonisë, në vitin 1995, vunë re një sërë modelesh gjeometrike të çuditshme të gdhendura në fund të detit.
Këta “rrathë nënujorë” shtriheshin deri në dy metra dhe mbetën një mister për gati dy dekada.
Shkencëtarët e gjetën krijesën “përgjegjëse” në vitin 2011. Një specie e re e peshkut Torquigener puffer.
Peshku mashkull i krijon me kujdes rrathët, duke përplasur pendët e tij, ndërsa noton përgjatë dyshemesë së detit.
Më pas, ai mbledh rërë të imët për t’i dhënë skulpturës një pamje dhe ngjyrosje më të gjallë.
Në fund, zbukuron pjesën e brendshme të rrathëve me copa guaskash.
Skulpturat zgjasin deri në nëntë ditë për t’u ndërtuar dhe, pasi mbarojnë, femrat vijnë për t’i inspektuar. Nëse u pëlqen ajo që shohin, vendosin vezë në qendër të rrethit.
Deri më tani, nuk është gjetur asnjë qëllim funksional për rrathët, çka sugjeron se femrat thjesht mund të tërhiqen nga bukuria estetike e formave gjeometrike.
Me sa duket, këta peshq nuk janë të vetmit që krijojnë skulptura interesante.
Në vitin 1872, eksploruesi Odoardo Beccari u bë evropiani i parë që u ngjit në malet Vogelkop të Guinesë së Re dhe takoi anëtarët e fisit Arfak.
Kur ishte atje, ai vëzhgoi një sërë kasollesh të dekoruara bukur në pyll, për të cilat supozoi se ishin vepër e fshatarëve.
Përpara çdo kasolleje ishte një kopsht i vogël i zbukuruar me myshk dhe më shumë se njëqind objekte shumëngjyrëshe, duke përfshirë fruta, lule të freskëta, kërpudha dhe skelete brumbujsh.
Çuditërisht, kasollet e bukura nuk ishin ndërtuar nga njerëzit. Por nga një zog i quajtur Vogelkop Garden Bowerbird.
Që atëherë, më shumë se 20 lloje zogjsh bower janë zbuluar në Australi, Guinenë e Re dhe ishujt e afërt.
Në çdo rast, meshkujt e specieve ndërtojnë struktura të dekoruara bukur, të njohura si bowers, për të joshur femrat.
Ndërsa femrat i inspektojnë përpara se të zgjedhin të preferuarin e tyre.
“Një aspekt është forma dhe madhësia, si dhe numri i stolive dhe kontrasti vizual midis tyre”, ka treguar profesori John Endler.
Modelet gjeometrike mund të krijojnë gjithashtu një iluzion optik të njohur si perspektivë e detyruar që mund të shërbejë për të tërhequr vëmendjen e femrës.
“Të gjitha efektet vizuale interesante shërbejnë për të tërhequr dhe mbajtur vëmendjen e femrës”, ka treguar ai.
A dëshmon kjo se këta zogj kanë një sens estetik?
Është pa dyshim e vërtetë që zogjtë e vegjël kanë shijet dhe preferencat e tyre kur bëhet fjalë për materialet dhe ngjyrën.
Çdo gjë vendoset me kujdes dhe saktësi të madhe dhe nëse ndonjë objekt zhvendoset, zogjtë i kthejnë në vendin e tyre origjinal.
Sakaq, më të vegjlit duket se mësojnë se si të ndërtojnë bowers më tërheqëse, qoftë përmes provave dhe gabimeve, ose duke parë zogj më me përvojë.
Bowerbirds, gjithashtu, shpenzojnë një pjesë të madhe të kohës dhe përpjekjes për të ndërtuar bowers-at e tyre dhe për t’i mbrojtur ato nga meshkujt rivalë.
Duke vlerësuar artin
Teksa lista e krijesave që prodhojnë art është relativisht e vogël, ka kafshë të tjera, që duket se e vlerësojnë bukurinë.
Në vitin 1995, një ekip psikologësh i udhëhequr nga profesori Shigeru Watanabe, tregoi se pëllumbat mund të mësoheshin të dallonin veprat e artit të Claude Monet nga Pablo Picasso.
Hulumtimet e mëtejshme zbuluan se peshqit koi ishin në gjendje të dallonin muzikën e këngëtarit John Lee Hooker nga ajo e Johann Sebastian Bach.
Megjithatë, kjo thjesht tregon se kafshët mund të trajnohen për të dalluar veprat e artit.
Nuk dëshmon se ata i vlerësojnë apo fitojnë kënaqësi prej tyre.
Ama një studim i veçantë nga Watanabe sugjeron se zogjtë mund të përjetojnë kënaqësi nga arti.
Ai ka zbuluar se, kur u jepet zgjedhja, harabelat preferojnë të kalojnë kohën ulur pranë pikturave.
“Meqenëse nuk mund t’i pyesim kafshët nëse kënaqen apo gjejnë kënaqësi në art, në psikologjinë eksperimentale shikojmë diçka të quajtur përforcim”, ka treguar Watanabe.
Sipas tij, nëse një kafshë bën diçka për të parë art ose për të dëgjuar muzikë, atëherë ai art dhe muzikë duhet të kenë veti përforcuese.
“Shumë lloje zogjsh, gjitarësh dhe peshqish mund të bëjnë dallimin midis pikturave ose pjesëve të ndryshme muzikore, por pak i konsiderojnë ato përforcuese”, ka vijuar.
Majmunët mund të jenë një grup i tillë.
Shpesh, njerëzit preferojnë modelet simetrike ndaj atyre të rastësishme dhe rezulton se disa lloje majmunësh e bëjnë këtë gjithashtu.
Një tjetër specie që duket se vlerëson bukurinë dhe estetikën është palloi.
Bishti i tij është i kotë për fluturim. Është aq i madh sa është një barrë fizike për t’u mbajtur. Gjithashtu ka më shumë gjasa të tërheqë vëmendjen e grabitqarëve.
Megjithatë, nëse një mashkull do të ketë ndonjë shpresë për të tërhequr një femër, ai duhet të ‘investojë’ te pendët me ngjyra të ndezura.
Pse?
Sepse femrat e shohin si tërheqëse.
Preferenca është aq e fortë sa është një forcë kryesore lëvizëse e evolucionit te palloi, duke çuar në pendë më ekstravagante të bishtit me kalimin e kohës.
Por kjo ende nuk i jep përgjigje pyetjes se pse femrat tërhiqen nga objekte me ngjyra të ndezura apo dizajne gjeometrike simetrike.
Një ide është se njerëzit, majmunët dhe harabelat tërhiqen nga disa lloje arti, sepse u kujtojnë atyre habitatin e tyre natyror. Ose sepse arti mund të sigurojë mbulim dhe kështu t’i bëjë ata të ndihen më të sigurt.
Një teori tjetër është se këto ngjyra mund të shërbejnë si tregues i forcës te mashkulli.
Zogjtë meshkuj shpenzojnë një sasi të madhe kohe, duke mbrojtur zogjtë e tyre nga meshkujt rivalë. Në të njëjtën kohë përpiqen të shkatërrojnë zogjtë e tjerë.
Hipoteza tjetër alternative është se femrat e disa specieve kanë një preferencë të lindur për kontrast të lartë vizual dhe ngjyra të ndezura.
Kështu, meshkujt kanë evoluar për të përfituar nga kjo.
Çka është një lloj ideje revolucionare sepse sugjeron se nuk është vetëm një rast i mbijetesës së më të fortit.
Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com