Biznes

Ka ardhur ora për rregullim të përmbajtjes tregtare në mediat sociale


Puna si influencues në mediat sociale nuk është më një punë për të cilën nuk flitet.

Aq sa është e përhapur, aq është edhe me ndikim në sferën sociale dhe ekonomike, edhe në Shqipëri.

Por si një fenomen i ri që ka marr vrull nga përparimet teknologjike dhe hapësirat që këto të fundit lënë, ende nuk ka një rregullim të mirëfilltë.

Hapi më i fundit ka qenë përfshirja në regjimin tatimor, ku për herë të parë u bënë pjesë e skemës së re të taksimit edhe personat që përdorin platformat e mediave sociale e që grumbullojnë fitime prej tyre.

Tanimë do të tatohen 15 për qind.

Ama, përpos kësaj, nuk ka ende kufizime në aspekte të tjera të transparencës dhe përgjegjshmërisë së tyre përballë audiencës, apo ndryshe ndjekësve.

Rasti më i afërt i një vendi që ka ndërmarrë tanimë masa konkrete është Italia.

Ditë më parë, Autoriteti i atjeshëm i Komunikimit, AGCOM, ka miratuar udhëzime të reja për të rregulluar më mirë punën e ndikuesve.

Rregullat e reja do të zbatohen veçanërisht për influencuesit më të ndjekur: ata me të paktën 1 milion ndjekës dhe që gjenerojnë reagime nga përdoruesit për të paktën 2 për qind të përmbajtjes së publikuar.

Kështu, objektivi i AGCOM është të barazojë influencuesit më të mëdhenj me mediat tradicionale, duke i bërë ata të respektojnë Ligjin e Konsoliduar për shërbimet e medias audiovizive, ndryshe grupin e ligjeve italiane që rregullojnë veprimtarinë e radios dhe televizionit.

Do t’u kërkohet të respektojnë rregullat për transparencën e reklamave, më rreptësisht se sa është bërë deri më tani: gjobat e parashikuara nga Ligji i Konsoliduar për mediat audiovizive arrijnë në 250 mijë euro.

Ndërkohë, AGCOM ka njoftuar gjithashtu nisjen e një lloj komisioni ekspertësh për këtë temë, i cili do të ketë për detyrë të shkruajë një kod specifik sjelljeje me masat që do të zbatohen për ndikuesit me ndjekje të madhe.

Edhe vende të tjera kanë marrë masa për të rregulluar tregun e influencuesve.

Në Francë është miratuar një ligj disa muaj më parë që njeh zyrtarisht profesionin dhe vendos ndalime specifike për promovimin e përmbajtjes për kirurgji estetike, baste sportive, lojëra të fatit dhe nikotinë.

Terren i paqartë

Një nga elementet që në Shqipëri nuk zbatohet është bërja me dije e audiencës mbi partneritetet e paguara.

Në shumicën e rasteve, audienca ‘gënjehet’ ose ‘mashtrohet’. E gjitha sepse influencuesit, të cilët janë paguar – me financim ose produkt falas – për të reklamuar produktin ose shërbimin e atij biznesi, e shfaqin tablonë ndryshe.

Tregojnë ose rendisin veçoritë pozitive të atij produkti – shumë bindëse për të nxitur shitje – pa treguar se është thjesht një partneritet i paguar, ose më thjesht reklamë.

Një përfitim shumë i hapur ky, duke marrë parasysh se blerja – në shumicën e rasteve – është emocionale, e ndikueshme. Dhe kjo lojë nuk duket etike.

Një nga rastet më të dukshme, të cilat hapin rrugën edhe për një problematikë tjetër, janë reklamimet e produkteve trajtuese për fytyrën. Dhe target grupi janë të rinjtë e grupmoshës 18-30 vjeç, të cilët kanë probleme me aknet.

Ndërkohë, influencueset i ngarkojnë vetes përgjegjësinë që t’u rekomandojnë produkte dermatologjike – për të cilat janë paguar t’i reklamojnë – si “shumë të efektshme”.

Përpos reklamës së fshehtë, harrojnë një detaj shumë të rëndësishëm për ta thënë. Që, për trajtimet e problematikave të lëkurës duhet me patjetër që secili të konsultohet me farmacistin apo mjekun dermatolog.

Me pak fjalë, ta bëjnë të paqartën të qartë.

Mësim nga e kaluara

Më herët, në Shqipëri, kjo problematikë ka qenë e pranishme edhe në mediat tradicionale, kryesisht në televizion.

Derisa u rregullua pak vite më parë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), ku filluan masat konkrete kundër transmetimit të reklamave të fshehta dhe abuzimit me përmbajtjet audiovizive.

Më konkretisht, Ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton se “komunikimet me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive duhet të jenë qartësisht të dallueshme si të tilla. Komunikimet me natyrë tregtare të fshehura janë të ndaluara”.

Duket se i ka ardhur ora rregullimit të këtyre formave tregtare edhe në mediat sociale.

Mjedisi i ri i biznesit dhe reklamimit në këto mediume ka nevojë të jetë më i qartë.

Çfarë janë partneritetet e paguara?

Marketerja Aunela Stoli ka treguar për Albanian Post se ato janë “bashkëpunime midis dy faqeve për arsye reklamimi, me qëllim final përfitimin. Ky i fundit mund të jetë për shitje, shtim të ndjekësve apo rritje të ndërgjegjësimit”.

Dhe se mund të nisin në dy forma.

“Biznesi mund të kontaktojë faqet e influencuesve që i gjykon të përshtatshme për kategorinë e vet ose vet influencuesi mund të dërgojë oferta ose propozime bizneseve që përshtaten me përmbajtjen që zhvillon në faqe”.

Pastaj radhën e ka rënia dakord me kushtet, kostot dhe llojin e reklamimit. Pasi të dyja faqet i përcaktojnë këto, nis bashkëpunimi që mund të jetë afatgjatë ose afatshkurtër.

Specialistja thekson se përfitimi kryesor që sjell bashkëpunimi është arritja e shitjes së produktit apo shërbimit të reklamuar.

“Kur ato bëhen në formën e duhur dhe zgjidhen faqet e duhura për reklamim, duhet analizuar se sa është përqindja e angazhimit në llogari, nëse kategoria është e njëjtë dhe nëse llogaria që do të realizoj reklamimin do të jetë e besueshme për sugjerimin që do t’ju bëjë ndjekësve”, zbulon Stoli.

Si kudo tjetër, marketerja nuk e mohon se partneritetet e paguara përdoren gjerësisht në Shqipëri dhe janë zhvilluar goxha.

Ama shumë biznese nuk bëjnë analizat e duhura përpara se të bëjnë bashkëpunimin, dallon ajo.

Në shumicën e rasteve, “bashkëpunimi bëhet për motive të gabuara si rritja e numrit të ndjekësve”.

Dhe mbi te gjitha, “një përqindje e konsiderueshme nuk e vendos etiketën që vetë mediat sociale e japin si opsion”.

Stoli tregon gjithashtu se kategoritë e biznesit janë të ndryshme.

Ato nisin nga produktet e përditshme e deri te ato kozmetike. Kështu, meqë kjo mënyrë është diçka ekstra reklamimit të zakonshëm, gjen përdorim për çdo lloj biznesi.

“Mjafton të identifikohen llogaritë e duhura të influencuesve për bashkëpunim”, veçon specialistja.

Përgjegjshmëri dhe transparencë

Një influencuese shqiptare e mediave sociale, por e fokusuar në tregun amerikan, Elena Basha, ka zgjedhur rrugën e transparencës.

Ajo ka rrëfyer disa kohë më parë për Albanian Post pa kurrfarë hezitimi se ishin kompanitë apo faqet e ndryshme që i ofruan një opsion të kënaqshëm se si të fitonte të ardhura nëpërmjet angazhimit në mediat sociale.

Basha e konfirmon këtë duke rrëfyer se…

“E bukura e së gjithës është se asnjëherë nuk kam dashur të punoj për mediat sociale. Në rastin konkret, për Instagram-in”.

“Ishin email-et e pafundme të dërguara në adresën time elektronike, të cilat më bindën për ta provuar”.

“Prandaj dhe kanë qenë kompanitë e ndryshme ose faqet që më kanë shtyrë ta nis këtë rrugëtim”.

Dhe ky rrugëtim i ri e njohu atë edhe me aspektet më konkrete të kësaj pune të formësuar nga bota digjitale.

Një nga aspektet është përfitimi monetar.

Sipas saj, “përfitime ka, por varet se sa kohë dhe se sa prioritet i jep medias sociale. Nëse vendos që t’i përkushtohesh, jam e bindur që të ardhurat do të jenë të mira”.

Në rastin e Bashës, ajo i kushton veç 10 për qind të kohës medias sociale pasi nuk është e vetmja punë me të cilën merret.

“Përgjatë kësaj kohe, më së shumti përfitoj produkte pa dhënë pagesë për to. Gjithashtu siguroj një kod, të cilin e shpërndaj me ndjekësit e mi dhe në këtë mënyrë, ata mund ta blejnë produktin që kam sugjeruar”, tregon ajo.

Nga ana tjetër, ata mund të përfitojnë “zbritje çmimesh të tilla si 10 për qind, 20 ose 30 për qind. Varet se sa vendosin faqet që të kryejnë zbritje”.

Kurse lidhur me pagesat, Basha ravijëzon se është një ballafaqim rregullash mes kompanisë që e fton për bashkëpunim dhe vetë asaj.

“Disponoj një çmim fiks, të qëndrueshëm, për një foto apo postim në platformën Instagram. Në momentin që faqet më kontaktojnë dhe më ofrojnë bashkëpunim, ofroj njëkohësisht edhe rregullat e mia”, thotë ajo.

Megjithatë, Basha nuk anashkalon as faktin se çdo pagesë që kryhet varet nga numri i ndjekësve që numëron në llogarinë e Instagram-it.

Gjithashtu zbulon se nuk e gjykon të nevojshme të fokusohet në një linjë të caktuar produktesh.

“Nuk jam fokusuar në ndonjë produkt posaçërisht. Deri më tani kam pasur një shumëllojshmëri produktesh, duke filluar nga bizhuteritë e deri te ushqimet”, thotë ajo.

Kjo nuk e pengon që të sigurojë reagime pozitive nga ndjekësit.

“Reagimi që kam marrë nga ndjekësit e mi ka qenë pozitiv. Kjo është edhe arsyeja pse vazhdoj punoj. Madje, është një nga arsyet kryesore. Sepse nëse nuk ka reagim, nuk ka as shitje të produkteve”, dallon e reja.

Sakaq, Basha veçon se këta të fundit pyesin në të shumtën e rasteve për çmimet dhe për cilësinë e produkteve që reklamon apo shfaq në profilin e vet.

Dhe se një rëndësi të veçantë e merr testimi paraprak i produkteve. Në këtë pikë, vihet re edhe përgjegjësia ndaj rekomandimeve që u jep miqve të saj virtualë.

“Me rëndësi është testimi i produkteve. Pasi i marr produktet, fillimisht i testoj nëse janë të kënaqshme dhe të vlefshme për t’u ndarë me ndjekësit”, vijon ajo.

Duke theksuar se “në momentin që nuk e pëlqej një produkt të caktuar, e kthej atë mbrapsht. Nuk e postoj edhe sikur kompania pas tij të më ofrojë një shumë të madhe parash në këmbim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore