Kosova

Jo veç Mujeci, ka edhe aktivistë të tjerë të VV-së të arrestuar për lëndë narkotike


Në fillim të këtij muaji, më saktësisht më 5 gusht, Erblin Shala, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, ra në pranga të policisë bashkë me tre persona të tjerë dhe siç merr vesh Albanian Post ai u arrestua në lokalin e tij “Linden Bar” ku u konfiskua një sasi e konsiderueshme e kokainës dhe një shumë e parave të gatshme.

Shala, në bazë të disa fotografive që i posedon AP shihet në aktivitetet e partisë së tij në Prizren dhe i shoqëruar nga deputetët Arbër Rexhaj, Artan Abrashi dhe ish-kryetari i kësaj partie në Prizren, Mytaher Haskuka.

Pos tyre, aktivisti i VV-së shihet edhe në një tubim ku ishte prezentë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kryetar i VV-së.

Për këtë çështje, AP ka pyetur deputetin kësaj partie Visar Korenicën, nëse ka dëgjuar për arrestimin e Shalës, derisa është shprehur se nuk mund t’i njoh të gjithë aktivistët.

“I njoh disa aktivist që janë më të njohur, por, prej teje po dëgjojë për herë të parë që qenka arrestuar Shala”, tha ai.

As asamblisti i VV-së në këtë qytet Ilir Gashi thotë se nuk është i informuar që është prangosur bashkëpatriku i tij.

“Kam dëgjuar që është bastisur lokali i tij, por nuk jam në dijeni që është arrestuar”, ka thënë shkurtimisht Gashi për AP.

Albanian Post ka provuar të flas edhe me deputetët Arbër Rexhaj dhe Artan Abrashi, me të cilit shihet në foto Shala, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Ndërkaq, arrestimi i Shalës bashkë me tre persona të tjerë është konfirmuar zyrtarisht edhe organet e rendit.

“Në bazë të dyshimit të bazuar, gjatë kontrollit në një lokal janë gjetur dhe sekuestruar : substancë narkotike e llojit kokainë para te gatshme, një telefon mobil, substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, njё peshore, nje grinder dhe një thikë”, thuhet në njoftim të policisë.

Pos lokalit, policët ia kishin kontrolluar edhe shtëpinë njërit nga prej katër të arrestuarve, u ku kishin gjetur një peshore elektronike dhe para te gatshme.

“Lidhur me rastin janë arrestuar 4 të dyshuar meshkuj kosovarë në konsultim me prokurorin pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”.

Ndryshe nga Shala që nuk kishte ndonjë pozitë të rëndësishme në degën e VV-së në Prizren, asamblisti i kësaj partie në Prishtinë, Besnik Mujeci u prangos të martën nga autoritet shqiptare.

Mujeci tashmë është përjashtuar nga partia, meqë dyshohet për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri dhe doza e sekuestruar nga operacioni policor kap shifrën e 400 mijë eurove.

Megjithatë, rastet e Shalës dhe Mujecit nuk janë të parat ku janë të përfshirë familjar të personave të partisë në shitblerje të drogës.

Më 2019, mediat kishin raportuar se nipërit e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala, ishin arrestuar për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Atë kohë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kishin zbuluar dy laboratorë të sofistikuar dhe kamufluar shumë mirë për përpunimin e lëndëve narkotike, me ç’rast kishin arrestuar katër persona të dyshuar, në mesin e tyre djemtë e vëllait të ish-deputetes Bala.

Se kishte “dosje të narkotikëve” ishte akuzuar në vitin 2019 edhe deputeti Arbër Rexha nga Ilir Baldedaj i AAK-së gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet nacionale.

“Shko këqyre një dosje e ki për posedim të narkotikëve”, thoshte Baldedaj”, derisa Rexha e kishte mohuar.

“Nuk kam asnjë dosje”, ishte shprehur i bindur deputeti i VV-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore