Lajme

Jeta dhe vdekja e Denys Tkach, ushtari i parë ukrainas i vrarë më 24 shkurt


Librat e historisë mund ta kujtojnë atë si ushtarin e parë të vrarë në Ukrainë më 24 shkurt 2022 kur ushtria ruse pushtoi vendin.

Gruaja e tij Denys kujton si e kishte larë trupin e tij të mbushur me plumba para se ta varroste me kostumin e dhëndrit. Historinë e tij është britanikja “The Guardian” që e tregon.

Rreshteri i lartë, 36 vjeç, vdiq në orën 3:40 të mëngjesit të ditës së pushtimit, më shumë se një orë përpara se presidenti rus të shpallte “operacionin e tij special ushtarak”.

Tkach ishte vendosur në një pikë kontrolli ushtarak në periferi të fshatit Zorynivka në rajonin lindor të Luhanskut në kufi me Rusinë.

Pak çaste para se të humbiste jetën, ai kishte urdhëruar ushtarët e tij të tërhiqeshin pasi kishte parë trupat ruse që po shkonin drejt tyre, pavarësisht borës së madhe. Kishte rrëmbyer automatikun e vetëm të disponueshëm dhe ishte bërë gati për më të keqen.

Një breshëri plumbash ia shkatërroi pozicionin. Ai vdiq dhe kjo i dha një medalje për trimëri.

Sulmi rus në Zorynivka ishte i pari në territorin ukrainas atë mëngjes sipas rojës kufitare ukrainase.

“Në orën 3:40, sipas departamentit Milove të shkëputur në Luhansk, pushtuesit rusë qëlluan me armë të lehta në zonën e vendbanimit Zorynivka. U vranë rojet e kufirit ukrainas. Këto janë humbjet e para të vëllezërve tanë gjatë pushtimit të armatosur në shkallë të gjerë nga Rusia, që vendi pushtues kreu më 24 shkurt të vitit të kaluar”.

Tkach ka lënë pas një vajzë dy vjeçare dhe një tetë vjeçare. Gruaja e tij, Oksana, 29 vjeçe, e kishte dëgjuar në telefon katër orë para vdekjes së tij. “Shihemi nesër. Unë të dua. Më mungon”, ishin fjalët e tij të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore