Pas largimit të dy avokatëve kryesor nga ekipi mbrojtës i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale, dorëheqje ka dhënë edhe David Young – avokati më i rëndësishëm i Rexhep Selimit.
Lajmin e kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), përmes një njoftimi për media.
“Më 13 shkurt 2024, sekretari konfirmoi ndërprerjen e kontratës së z. Young si Bashkë-Avokat për z. Selimi”, thuhet në njoftim.
Bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se largimi i avokatit Young, është bërë për shkak të gjendjes shëndetësore të tij.
Duke sqaruar se, “këto probleme shëndetësore të tij janë tash e një vit”, ndërsa ka shtuar se “kjo është e vetmja arsye dhe nuk kemi arsye të tjera”.
Më 30 janar, Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për shtyp të martën, njoftoi se është përgjegjëse vetëm për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar në mënyrë private nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në paraburgim.
Gregory Kehoe dhe Joe Reeder, avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët u tërhoqen nga ekipi i mbrojtjes për shkak të mosrealizimit të pagasave, nuk janë paguar ngase ata dhe kompania “Greenberg Legal Associates” nuk kanë pasur asnjëherë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.
Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për të paguar një kompani të avokatisë për secilin nga të akuzuarit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Nëse të akuzuarit duan avokatë të tjerë, atëherë ata i angazhojnë privatisht dhe jashtë marrëveshjes ekzistuese.
Arsyeja përse duhet të angazhohen avokatë privatë, ka të bëjë kryesisht me buxhetin e limituar të Qeverisë së Kosovës të paraparë për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime të pretenduara lufte.
Në total janë rreth 20 milionë euro që shfrytëzohen nga të akuzuarit.
Ministria e Drejtësisë deklaroi se që nga viti 2020, mbrojtja juridike e ish-presidentit Thaçi është paguar mbi tre milionë e gjysmë nga buxheti i shtetit.
Vetëm për vitin 2023, ekzekutivi kosovar realizoi pagesa për mbrojtjen e Thaçit në Hagë në shumën prej 1 milion e 371 mijë e 800 eurove.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com