Biznes

Jeff Bezos shet aksione me vlerë mbi 4 miliardë dollarë


Jeff Bezos ka shitur më shumë nga aksionet e tij në Amazon, duke e çuar vlerën totale të shitjeve në ditët e fundit në më shumë se 4 miliardë dollarë.

Gjigandi i teknologjisë, të cilin Bezos e themeloi në vitin 1994, ka deklaruar se ka shitur 24 milionë aksione këtë muaj.

Bezos, i cili është kryetari ekzekutiv i firmës, shiti për herë të fundit aksionet e Amazon në vitin 2021.

Në fillim të këtij muaji, kompania ka bërë me dije se ai po planifikonte të shiste 50 milionë aksione gjatë vitit të ardhshëm, të cilat kanë vlerë rreth 8.4 miliardë dollarë me çmimet aktuale.

Shitja e parë e 12 milionë aksioneve u njoftua në një dosje rregullatore të premten, e ndjekur nga një njoftim të martën për shitjen e 12 milionë aksioneve të tjera.

Po ashtu Bezos ka dhuruar aksione në Amazon si pjesë e filantropisë së tij, së fundmi në vitin 2022.

Teksa ai u transferua në Miami në Florida nga Seattle në Washington vitin e kaluar, ai do të kursejë rreth 280 milionë dollarë në taksë mbi aksionet me vlerë 4 miliardë dollarë që ka shitur.

Fitimet mbi 250 mijë dollarë nga shitja e aksioneve ose investimeve të tjera afatgjata, tatohen me 7% në Washington.

Kirse Florida nuk ka taksa shtetërore mbi të ardhurat ose fitimet kapitale.

Megjithatë, ai do të jetë i detyruar ndaj taksave federale si rezultat i shitjes së aksioneve.

Kur Bezos njoftoi lëvizjen e tij në Florida, nxiti spekulime nëse ishte për shkak të një faturë të mundshme tatimore me të cilën do të përballej në Washington pasi shteti miratoi një taksë të re për shitjet e mëdha të aksioneve.

Ndërkaq, shitjet e aksioneve të Amazon vijnë pasi ato janë rritur me pothuajse 70% vitin e kaluar.

Bezos ka thënë në nëntor se prindërit e tij ishin zhvendosur së fundmi në Miami, ku ai kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij dhe se donte të ishte afër tyre dhe me projektin e tij hapësinor Blue Origin.

Ai mbetet aksioneri më i madh i Amazon dhe është një nga njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar prej më shumë se 190 miliardë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore