Lajme

“Japonia u dorëzua”, 78 vite nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore


Momenti i nënshkrimit të dorëzimit nga ana e Japonisë.

Më 2 gusht të vitit 1945, pra saktësisht 78 vite më parë, Japonia u dorëzua, duke i dhënë fund kështu Luftës së Dytë Botërore – më shkatërrueses në historinë e njerëzimit.

Deri në verën e vitit 1945, disfata e Japonisë ishte një opsion i pamenduar, por situata filloi të ndryshoi.

Forcat detare dhe ajrore japoneze po shkatërroheshin. Bllokada detare e Forcave Aleate dhe bombardimet sistematike të qyteteve japoneze kishin bërë që në atë vend të shkatërrohej pothuajse e tërë ekonomia.

Në fund të qershorit, forcat amerikane – të cilët kishin hyrë në luftë pas sulmit japonez në Pearl Harbor – pushtuan Okinawan – një ishull japonez, nga i cili Aleatët mund të fillonin një pushtim masiv të ishujve kryesorë japonezë.

Gjenerali amerikan, Douglas MacArthur u vu në krye të misionit, i cili u kodua “Operacioni Olimpik”.

Pushtimi i Japonisë doli që të jetë sulmi më i përgjakshëm detar i të gjitha kohërave, madje ishte 10 herë më i kushtueshëm se pushtimi i Normandisë për sa i përket viktimave në radhët e Aleatëve.

Më 16 korrik 1945, një opsion i ri hyri në “lojë” kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës testuan në mënyrë të fshehtë bombën e parë atomike në shkretëtirën e NewMexico’s.

Dhjetë ditë më vonë, do të pasonte Deklarata e Postdamit, ku kërkonte “dorëzimin e pakushtëzuar të të gjitha forcave të armatosura japoneze”.

Mosrespektimi do të nënkuptonte “shkatërrim të pashmangshëm dhe të plotë të forcave të armatosura japoneze dhe po aq të pashmangshëm shkatërrim e plotë të atdheut japonez”.

Kantaro Suzuki – Kryeministri i Japonisë më 28 korrik do të përgjigjej se qeveria e tij “nuk i kushton vëmendje” ultimatumit të Aleatëve.

Nga ana tjetër, Presidenti i atëhershëm i ShBA-ve, Harry Truman, dha urdhër që shkatërrimi të vazhdonte edhe më 6 gusht, ku bombarduesi amerikan “B92” Enola Gay, hodhi një bombë atomike në qytetin japonez, Hiroshima, duke lënë të vrarë plotë 80 mijë njerëz, dhe duke plagosur për vdekje mijëra të tjerë.

Sulmi në Hiroshima, kishte bërë që një fraksion i Këshillit Suprem të Luftës së Japonisë të favorizonte pranimin e Deklaratës së Postdamit, por, megjithatë shumica i rezistoi dorëzimit të pakushtëzuar.

Situata për Japoninë do të vështirësohej edhe më tej kur më 8 gusht, kur Bashkimi Sovjetik do t’i shpallte luftë.

Një ditë më pas, forcat sovjetike sulmuan në Mançuria, duke mposhtur me lehtësi pozicionet japoneze.

Atje, në qytetin bregdetar japonez të Nagasakit, do të hidhej edhe një bombë tjetër atomike nga amerikanët.

Në këto rrethana të rënda, Perandori i Japonisë Hirohito, pak para mesnatës së 9 gushtit, do të mblidhte Këshillin Suprem të Luftës.

Debat i gjatë dhe tejet emocional, do të bënte që në fund fare, Hirohito të mbështeste një propozim të kryeministrit Suzuki, në të cilin Japonia do të pranonte Deklaratën e Postdamit, “me mirëkuptimin se Deklarata në fjalë nuk komprometon asnjë kërkesë që paragjykon prerogativat e Madhërisë së Tij si sundimtar sovran”.

Këshilli iu bind pranimit të paqes nga Hirohito dhe më 10 gusht mesazhi iu transmetua ShBA-ve.

Nuk vonoi përgjigja e amerikanëve, me 12 gusht ata i thanë Japonisë së “autoriteti i perandorit dhe i qeverisë japoneze për të sunduar shtetin do t’i nënshtrohet Komandantit Suprem të Fuqive Aleate”.

Pas dy ditësh debati rreth asaj që nënkuptonte kjo deklaratë, perandori Hirohito la mënjanë nuancat në tekst dhe deklaroi se paqja ishte më e preferueshme sesa shkatërrimi. Ai urdhëroi qeverinë japoneze të përgatiste një tekst që pranonte dorëzimin.

Por, situata nuk do të shkonte siç duhej, kjo pasi që në orët e para të 15 gushtit, një grusht shteti ushtarak, i iniciuar nga fraksioni i udhëhequr nga majori Kenji Hatanaka, do të ndodhte.

Rebelët morën kontrollin e pallatit perandorak dhe dogjën rezidencën e kryeministrit Suzuki, por pak pas agimit grushti i shtetit u shtyp.

Në mesditën e po asaj dite, perandori Hirohito doli për herë të parë në radion kombëtare për të njoftuar dorëzimin japonez.

Në gjuhën e tij të panjohur të oborrit, ai u tha nënshtetasve të tij: “Ne kemi vendosur të hapim rrugën për një paqe të madhe për të gjithë brezat që do të vijnë duke duruar të padurueshmen dhe duke vuajtur atë që është e padurueshme”.

Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara e pranuan menjëherë dorëzimin e Japonisë.

Presidenti Truman emëroi MacArthurin në krye të pushtimit të Japonisë nga forcat Aleate si Komandant Suprem të Fuqive Aleate.

Për vendin e dorëzimit zyrtar të Japonisë, Truman zgjodhi USS Missouri, një luftanije që kishte bërë një veprim të konsiderueshëm në Paqësor dhe u emërua sipas shtetit të lindjes së Trumanit.

MacArthur, i udhëzuar të kryesonte dorëzimin, e ndërpreu ceremoninë deri më 2 shtator në mënyrë që të linte kohë për të mbërritur përfaqësuesit e të gjitha fuqive të mëdha aleate.

Të dielën, më 2 shtator, më shumë se 250 anije luftarake aleate u ankoruan në Gjirin e Tokios. Flamujt e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës valëviteshin mbi kuvertën e Misurit.

Vetëm pas orës 9 të mëngjesit me orën e Tokios, Ministri i Jashtëm japonez Mamoru Shigemitsu, nënshkroi kapitullimin në emër të qeverisë japoneze. Gjenerali Yoshijiro Umezu më pas nënshkroi për forcat e armatosura japoneze dhe ndihmësit e tij qanë ndërsa ai nënshkroi.

Edhe Komandanti Suprem MacArthur, do të nënshkruante një deklaratë ku thuhej: “Është shpresa ime e sinqertë dhe në të vërtetë shpresa e gjithë njerëzimit që nga ky rast solemn të dalë një botë më e mirë nga gjaku dhe masakra e së kaluarës”.

Nënshkrime u vunë edhe nga SHBA-të, Kina, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik, Australia, Kanadaja, Holanda dhe Zelanda e Re.

Në emër të ShBA-së do të nënshkruante Admirali Chester Nimitz.

Kjo ceremoni tregonte se lufta më shkatërruese në historinë e njerëzimit kishte përfunduar.

Lufta e Dytë Botërore ishte lufta më e madhe dhe më vdekjeprurëse në histori, duke përfshirë më shumë se 30 vende. E nxitur nga pushtimi nazist i Polonisë në 1939, lufta zgjati për gjashtë vite të përgjakshme derisa aleatët mposhtën fuqitë e Boshtit të Gjermanisë naziste, Japonisë dhe Italisë në vitin 1945.

Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, rreth 60 deri në 80 milionë njerëz kishin vdekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore