Shëndet

Italia do të hetojë trajtimin e saj të pandemisë COVID-19


Italia do të kryejë një hetim për trajtimin e saj të pandemisë së coronavirus-it në një lëvizje të përshëndetur si “një fitore e madhe” nga të afërmit e njerëzve të vrarë nga virusi, por e kritikuar nga ata që ishin në pushtet asokohe.

Italia ishte vendi i parë perëndimor që raportoi shpërthimin dhe ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve të lidhura me COVID-in deri më sot në Evropë, në më shumë se 196 mijë.

Krijimi i një komisioni për të shqyrtuar “veprimet e qeverisë dhe masat e miratuara prej saj për parandalimin dhe adresimin e emergjencës epidemiologjike COVID-19” u miratua nga Dhoma e Ulët e parlamentit pasi kaloi në senat.

Një hetim për COVID-19 ishte ndër premtimet e fushatës zgjedhore të kryeministres Giorgia Meloni, qeveria e ekstremit të djathtë të së cilës erdhi në pushtet në tetor 2022.

Familjet e viktimave kishin protestuar kundër një propozimi hetimor nga administrata e mëparshme, një koalicion i gjerë i udhëhequr nga Mario Draghi.

Consuelo Locati, një avokat që përfaqëson qindra familje që ngritën procedime ligjore kundër ish-udhëheqësve, ka thënë se “familjet ishin të parat që kërkuan një komision dhe kështu për ne kjo është një fitore e madhe”.

“Komisioni është i rëndësishëm sepse ka për detyrë, të paktën në letër, të analizojë se çfarë shkoi keq dhe gabimet e bëra, në mënyrë që të mos përsëritet masakra që pësuam të gjithë”.

Komisioni do të hetojë veprimet e individëve duke përfshirë Giuseppe Conte, ish-kryeministrin, Roberto Speranza, ish-ministrin e Shëndetësisë dhe Attilio Fontana, presidentin e Lombardisë.

Në qershor të vitit të kaluar, prokurorët në Bergamo, provinca e Lombardisë e goditur rëndë nga COVID-i në fillimin e pandemisë, anuluan një hetim për menaxhimin e urgjencës nga Conte dhe Speranza pasi nuk gjetën prova që lidhnin vdekjet me dështimin e tyre për të adoptuar me shpejtësi masat për frenimin e virusit në përshkallëzim.

Rasti i parë i coronavirus-it në Itali u konfirmua në Codogno në Lombardinë jugore më 21 shkurt 2020.

Dy ditë më vonë, një shpërthim ndodhi në spitalin në Alzano Lombardo, një qytet në Bergamo.

Sidoqoftë, ndryshe nga Codogno, ku masat e karantinës u zbatuan menjëherë së bashku me nëntë qytete të tjera në Lombardi dhe një në Veneto, Bergamo hyri në mbyllje me të gjithë rajonin e Lombardisë dy javë më vonë.

Një çështje e ngritur nga familjarët e të ndjerit në gjykatën civile të Romës është në vazhdim.

Gjykata po shqyrton të njëjtat prova që bënë prokurorët e Bergamos, duke përfshirë mungesën e pretenduar të një plani të përditësuar kombëtar të pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore