Ish-ambasadori Kastrati: Urgjentisht duhet të dihet se ku shkuan paratë që mori ambasadori Berishaj dhe me çfarë veture u bartën?
“Urgjentisht, shteti i Kosovës duhet të sqaroj disa enigma rreth rastit të skandalit Berisha”, vlerëson ish ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati.
Javën e kaluar mediet Sllovene raportuan për një skandal të madh financiar në të cilin doli të jetë i përfshirë dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Të sqarohet se me të vërtetë a janë tërheqë ato para në kesh, pastaj ato para si janë bart nga Mali i Zi në destinacionin e fundit”, ka insistuar Kastrati, në një intervistë telefonike për Albanian Post, duke shtuar se dëshmitë e këtyre dyshimeve duhet të sillen të argumentuara me dokumente zyrtare e jo vetëm me fjalë.
“Të mos flasim për prishje të imazhit”, vazhdon më tej Kastrati, “sigurisht që është i dëmtuar sepse një gjë e tillë nuk lejohet dhe nga anën tjetër, jo që vetëm nuk lejohet por këtu tash ndërlidhen në këtë aferë edhe Mali i Zi, se qysh ka pas mundësi të tërhiqen në kesh ajo shumë aq e madhe e parave, siç përshkruhet 600 mijë euro”.
Kastrtati kërkon që nga hetimet e këtij rasti të sqarohet saktë se me çfarë veture u bartën ato të holla.
“Të tregohet se si janë bartur ato para. A janë bajt në ndonjë veturë zyrtare, apo me makinë të ambasadës apo private dhe mandej ato para ku janë dorëzu?”, pyet më tej ish ambasadori i Kosovës në Slloveni.
“Me argumente”, ri përsëriti Kastrati, “se ato diku janë dorëzuar, ose edhe më tutje janë te vetë zotëri Berishaj”.
Para se të dëshmohen këto dyshime, Kastrati nuk vlerëson se ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj nuk duhet të jap dorëheqje.
“Këto për mua janë disa enigma që duhet të sqarohen pasa se përfundimisht të mendojmë këtu të mendohet se çka duhet me vepru”.
“Unë jam ithtar i asaj që fillimisht të verifikohen gjërat”, tha Kastrati për AP.
“Dorëheqja është çështje personale dhe obligim moral i z.Berisha, që duhet me vepru ose jo, por institucionet e Kosovë, argumentet gjegjësisht dokumentet duhet të flasin për një të vërtetë se çka ka ndodhë”.
Për shkak të përfshirjes së tri shteteve të ndryshme në këtë rast, Sllovenisë, malit të Zi dhe Kosovës, Kastrati kërkon që organet e drejtësisë ta marrin me seriozitet shumë të madh trajtimin e tij.
“Unë mendoj se organet e gjyqësorit duhet urgjentisht të marrin masa për sqarim. Me prioritet të kenë këtë lëndë. Nuk është në dobi të askujt që një gjë e tillë të mbetet e pa definuar sepse ajo e dëmton Kosovën”.
“Duke e ditë që zotëri Berisha është edhe qytetar i Sllovenisë unë mendoj që edhe Sllovenia do të ndërmarr masa ndaj tij në këtë rast, në hetim të këtij rasti”, ka përfunduar Kastrati për Albanian Post.
Për çfarë po akuzohet Berishaj?
Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku para të dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin tek një kompani tjetër malazeze, i dërgoheshin një politikani slloven dhe përfundonin në disa fonde italiane ku investitorët e kanë të mundur të mbesin anonimë.
Zbulimi i këtij skandali ka çuar në hetimin e politikanit slloven, kandidatit për kryeministër, Robert Golob, për shkak të dërgesave të parave nga dega e kompanisë energjetike serbe GEN-I, të cilat fillimisht shkonin në një kompani private të konsulencës, me alibinë se janë pagesa për këshillime.
Bëhet fjalë për kompaninë malaziase MB Consulting, pronar dhe punëtor i vetëm i së cilës është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Shuma e zbuluar është rreth 600 mijë euro pagesa që serbët ia bënin kompanisë së Berishajt.
Berishaj më pas i tërhiqte ato para nga xhirollogaria e kompanisë së tij fiktive dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.
Më pas ai i investonte në disa fonde që thuhet se janë italiane dhe janë të qasshme nga përdorues anonimë.
Berishaj ishte pyetur nga organet e Malit të Zi, por ai e kishte arsyetuar shumën e parave në kontot e kompanisë me një kredi që thoshte ta ketë marrë.
Tërheqjen e parave Berishaj e kishte bërë nga dy xhirollogari, zbulojnë mediat sllovene.
“197 mijë euro i ka tërhequr nga llogaria personale, ndërsa pjesën tjetër, 320 mijë, i ka tërhequr nga një llogari tjetër”.
Akoma nuk dihet se cili ishte denstinacioni final i parave, por pritet të kuptohet më shumë në ditët në vijim.
Sipas raportit të parë, ende nuk është zbuluar gjithçka dhe ka akoma dokumente të tjera që do të shpalosën.
Martin Berishaj është shqiptar i Malit të Zi. Ai ka tash e katër muaj që është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci.
“Sot, në cilësinë e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, e dorëzova kopjen e letrave kredenciale te udhëheqësja e Protokollit Diplomatik në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, znj. Emilija Vučinić – Margeta”, pati shkruar Berishaj.
Ai në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte mbështetur subjektet që janë tash në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Guxo.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë